Jakshiç për mediumin serb thotë se Kosova është në avantazh ndaj Serbisë sepse ka aleat më të fuqishëm!

2 minutes, 0 seconds Read

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Boshko Jakshiç, në një prononcim për mediumin serb “Nova” tha se Kosova është gjithmonë në avantazh të vazhdueshëm ndaj Serbisë në arenën diplomatike sepse ka aleatë më të fuqishëm.

Ai vlerësoi se si fushata e Serbisë për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës, ashtu edhe synimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, tregojnë se të dyja palët i janë kthyer praktikave të konfliktit.

“Tani mund të presim që të dyja palët të luftojnë për suksesin e projekteve të tyre. Tani për tani, siç janë gjërat, Kosova duket se ka një avantazh sepse është më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës”.

“Nga ana tjetër, ne ende nuk e dimë se cilat vende e kanë tërhequr njohjen, edhe pse presidenti (Aleksandër) Vuçiç ka premtuar disa herë se do t’i bëjë publike, prandaj shtrohet pyetja nëse është ai numër shtetesh, cilat shtete janë dhe pse mbahet sekret”, shtoi Jakshiç.

I pyetur nëse nisma për tërheqjen e njohjeve është karta me të cilën Beogradi po tenton të hyjë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në bazë të propozimit franko-gjerman, ai theksoi se padyshim është një përpjekje e palës serbe për ta bllokuar atë marrëveshje.

“Një nga risitë e tij kryesore është t’i mundësojë Kosovës të hyjë në OKB, pa pasur nevojë të arrijë njohje bilaterale. Përgjigja e Beogradit është se Serbia absolutisht nuk do ta pranojë këtë. E vetmja gjë që Serbia mund të bëjë është të lobojë në disa vende”.

“Nëse kjo krahasohet me kërkesën për anëtarësim në OKB, atëherë 10 vende nuk do të thotë asgjë, është një lloj fitoreje e Pirros për diplomacinë serbe, nëse ky proces nënkupton që Kosova të anëtarësohet në OKB dhe në Këshillin e Evropës para kësaj”, përfundoi Jakshiç.

Ndryshe, Kosova është në prag të anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe tashmë ka siguruar vota të mjaftueshme për këtë kurse autoritetet serbe po vazhdojnë fushatën në disa shtete specifike për ta çnjohur Kosovën.

Publikime te ngjashme