Të tjera detaje janë mësuar nga ngjarje e rëndë që ndodhi ditën e sotme në qytetin e Gramshit. Një sherr mes adoleshentëve, përfundoi me vrasjes me Fatjon Bicit dhe plagosjen e Marko Liçit të dy 15-vjeçar, kushërinj me njëri – tjetrin.
Gazetarja e ABC NeWs, Edisona Skënderi raporton se konflikti kishte nisur dy javë më parë tek një kënd lojërash dhe shkak kanë qenë rrjetet sociale.
Konflikti i cili nuk ishte mbyllur dhe sot dy kushërinjve i kanë dalë para 4 adoleshentë të tjerë me thika dhe përforcues grushti.
I plagosuri është dërguar në spital nga prindërit pasi e kanë parë me plagë në trup dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në krahun tjetër policia ka shoqëruar 4 adoleshentët e tjerë të përshirë në ngjarje, mes tyre edhe autori.
ABC News ka siguruar po ashtu pamjet nga vendi i ngjarjes, që i mori jetën 15-vjeçarit.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 13:30, në lagjen “Sport 2”, Gramsh, në rrugë, pas një konflikti të çastit mes 5 adoleshentëve është plagosur rëndë me mjet prerës (thikë), njëri prej tyre, shtetasi F. B., 15 vjeç, i cili pasi është dërguar në spital, ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.
Pas ndjekjes nga Policia, janë kapur dhe janë shoqëruar në Komisariat, 4 adoleshentët (ndërmjet tyre dhe autori) e përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasit E. K., 15 vjeç, A. C., 14 vjeç, O. C., 14 vjeç dhe S. M., 15 vjeç të cilët do të merren në pyetje nga specialistët për Hetimin e Krimeve, në prani të prokurorit, të psikologut dhe të prindërve të tyre.
Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe përcaktimin e autorësisë së ngjarjes.
Në përfundim të veprimeve, do të ketë njoftim për arrestimin e autorit dhe për masat që do të merren për 3 shtetasit e tjerë të shoqëruar.
Gramsh/ Informacion shtesë:
Në vijm të veprimeve që po kryhen për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur rreth orës 13:30, në lagjen “Sport 2”, Gramsh, ngjarje për të cilin Policia shoqëroi 4 adoleshentë të përfshirë në konflikt (mes tyre dhe autorin), grupi hetimor po kryen verifikime edhe për shtetasin M. C., 15 vjeç, i cili ka shkuar në spital, për ndihmë mjekësore, në gjendje jashtë rrezikut për jetën, pasi dyshohet se është dëmtuar me mjet prerës thikë, gjatë këtij konflikti.
Veprimet hetimore për këtë ngjarje vijojnë dhe në përfundim të veprimeve të para do të ketë njoftim të plotë./abcnews.al