Pas gati tre muajsh në arrati, është lajmëruar Mefail Shkodra, i dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë në Gjilan, i cili ka bërë të ditur se do të dorëzohet në Polici së bashku me djemtë e tij.
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur në qendër të Gjilanit, në mes të ditës, ku nga të shtënat me armë zjarri mbetën të vrarë tre persona, ndërsa një tjetër u plagos.
Shkodra, së bashku me dy djemtë e tij, po kërkohen nga autoritetet që prej ditës së krimit.
Në një videomesazh të publikuar së fundmi, i realizuar me ndihmën e inteligjencës artificiale (AI), Shkodra ka dhënë versionin e tij për ngjarjen dhe ka mohuar përfshirjen e djemve në vrasje.
Ai tha se ishte detyruar ta publikojë këtë video në këtë formë, sepse, sipas tij, “nuk kishte rrugë tjetër”.
Në mesazhin e tij, Shkodra pretendon se Bujar Hoxha i kishte kërkuar para me fajde, pasi i kishte shitur një veturë të tipit Audi Q5, duke i dhënë afat 20 ditë për kthimin e parave.
“Djemtë e mi nuk kanë bërë asgjë – vetëm janë vetëmbrojtur”, deklaron Shkodra në videon e tij.
Ai gjithashtu përmend disa zyrtarë policorë, për të cilët thotë se janë të përfshirë në çështje korruptive.
“Do të dorëzohemi për ta vuajtur dënimin për atë që kemi bërë, në momentin që policia do të merret me policët e korruptuar,” shtoi ai.
Në fund, Shkodra publikoi videomesazhin e plotë, ku pretendon se jep versionin e vërtetë të ngjarjes që tronditi qytetin e Gjilanit./lajmishqip.net
