“Kryeministri i Kosovës është kreu i një rrjeti të trafikimit të organeve”. Kështu shkruanin mediat më të mëdha të botës kur në fund të vitit 2010 Këshilli i Europës e miratoi një raport që e kriminalizonte UÇK-në. Dhjetë vjet më vonë, Hashim Thaçi u arrestua dhe u dërgua në paraburgimin e një gjykate të veçantë në Hagë, të cilën arriti ta prodhonte po ai raport. Para një jave nisi gjykimi ndaj tij e tre ish-krerëve tjerë të UÇK-së. Tash ndaj tyre s’ka asnjë akuzë për trafikim organesh. Thaçi tha në nisje të gjykimit se Kosovës iu hoq reja e zezë, por pretendimet monstruoze qëndrojnë edhe sot si njolla. Por tash, The Guardian raporton se ato akuza tashmë janë zhdukur.
Më 14 dhjetor 2010, ditën kur në Këshillin e Europës në Strasburg ishte miratuar një raport që e kriminalizonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, The Guardian shkruante në titull: “Kryeministri i Kosovës është kreu i rrjetit të trafikimit të organeve njerëzore”.
Thaçi sapo i kishte fituar sërish zgjedhjet duke e siguruar edhe një mandat në krye të vendit. Atë ditë s’mund ta ketë menduar se ai raport, sikur duke e mashtruar, do ta çonte në burg.
Raporti thoshte se “Grupi i Drenicës”, e kontrollonte “trafikimin e organeve”, dhe se udhëheqës ishte Hashim Thaçi.
“Kryeministri i Kosovës është kreu i një grupi shqiptar “si mafioz” përgjegjës për kontrabandën e armëve, drogës dhe organeve njerëzore nëpër Europën Lindore, sipas një raporti hetimor të Këshillit të Europës mbi krimin e organizuar”, shkruante gazeta britanike The Guardian atë ditë.
Pra, organizata kryesore e të drejtave të njeriut në kontinent po e cilësonte Thaçin si bossin e krerëve të UÇK-së, që sipas raportit, zinin robë serbë, të cilëve ua merrnin organet dhe i shitnin ato në tregun e zi.
Autor i raportit ishte senatori zviceran, Dick Marty.
“Shumë indikacione duket se konfirmojnë se (…) u hoqën organe të burgosurve në një klinikë në territorin shqiptar. pranë Fushë-Krujës (20 km në veri të Tiranës), për t’i transportuar më pas jashtë vendit për qëllime transplantimi”, thuhej ndër tjerash në raport.
Sipas Martyt, trafikimi i organeve kishte vazhduar, “edhe pse në forma të tjera, deri në ditët e sotme”.
Në raportin e tij 27 faqesh, Dick Marty përmendte veçanërisht “një qendër pritëse moderne për krimin e organizuar të trafikimit të organeve” pranë Fushë-Krujës.
I famshëm u bë një objekt i quajtur “Shtëpia e Verdhë”, ku sipas Martyt ishin zbuluar mostrat e gjakut që siç pretendonte ai, kishin mbetur aty pas marrjes së organeve.
“Duket në realitet se ka shërbyer më shumë si një ‘ndalesë e ndërmjetme’, ku të burgosurit në tranzit mbaheshin në pritje të vdekjes dhe ku, sipas disa burimeve, ata iu nënshtruan formave në dukje të çuditshme të ‘trajtimit’ ose ‘ klasifikimit’, duke përfshirë analizat e gjakut ose ekzaminimet shëndetësore”, shkruante Marty.
Prokurori amerikan, Clint Williamson kishte udhëhequr Task Forcën Speciale Hetuese për Bashkimin Europian në vitin 2011.
Ai i hetoi hollësisht pretendimet e Martyt dhe në vitin 2014 e pranoi se nuk gjeti asgjë lidhur me trafikimin e ograneve.
“Nuk ka dëshmi të mjaftueshme për pohimet e Dick Martyt për trafikim organesh…”, pati deklaruar ai.
Thaçi në gjyq: Hija e zezë u hoq
Ish-presidenti Hashim Thaçi, tha më 4 prill në Gjykatën Speciale se ndërkombëtarët i kishin thënë se ky tribunal duhej të krijohej për t’ia hequr Kosovës “renë e zezë” të këtyre akuzave monstruoze. Tani, ai tha se për këtë “e vërteta është thënë”.
“Bashkësia ndërkombëtare më tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë të akuzave për trafik të organeve në Kosovë. Bota tani e di sot si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafik organesh dhe se shtëpia e verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë, edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, edhe populli i Kosovës dhe të gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza”, tha Thaçi.
“E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Pra, kjo sakrificë ia ka vlejtur”, shtoi ai.
Njollat mbeten
Raportimet e Guardian, por edhe të mediave të tjera botërore për trafikimin e organeve nga krerët e UÇK-së, kanë mbetur po aty. Ato gjenden lehtësisht me një kërkim në internet.
Ismail Syla, që kishte qenë këshilltar i Thaçit, kur nisi gjykimi kujtoi në Pressing në T7 se dëmi tashmë i është bërë shtetësisë së Kosovës.
“Unë sikur secili prej nesh, mendoj, kemi pritur që sot kjo gjykatë të fillojë me pikën fillestare që ka ndikuar në ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës. Dhe ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës ka bërë që të ndodhë pikërisht raporti i Dick Martyt për shtëpinë e verdhë”, tha Syla. “Nuk filloi me asnjë shtëpi të verdhë. Nuk filloi me ato akuza monstruoze që kanë çuar deri në faktin që për ta komprometuar shtetin e ri të Kosovës, gazeta më e famshme britanike e botoi titullin e famshëm se kryeministri i Kosovës është duke u marrë me trafikim të organeve”.
“Dëmi i madh, dëmi maksimal që iu ka bërë shtetësisë së Kosovës dhe liderëve tanë politikë që në njëfarë mënyre janë baballarët e themelimit të këtij shteti, është se ajo njollë ekziston, nuk është fshirë ende nga Guardian. Ndërkaq hetimet kanë treguar që shtëpia e verdhë ka rënë”, tha ai.
Çka thotë sot The Guardian?
Ndërsa gjykimi në Hagë sapo ka nisur, The Guardian ka shkruar sot pretendimet më të forta të raportit të Dick Martyt janë zhdukur tashmë, por se ky proces “do ta rishkruajë historinë”.
“Por ndërsa çështja ka vazhduar në gjyq me një ritëm thuajse të akullt, me Kosovën nën presion nga ish-mbështetësit e saj perëndimorë për të dorëzuar Thaçin dhe kolegët e tij të pandehur, pretendimet më të forta nga raporti i Marty-t – se viktimat u vranë dhe iu morën organet – janë zhdukur nga procedurat, shkruan gazeta britanike.
Raporti i Diçk Martyt përmendet shkurtimisht në këtë tekst, dhe rreshtat e ish-senatorit zviceran tani cilësohen si pretendime.
“Në vitin 2010, atëherë do të publikohej një raport nga Dick Marty për Këshillin e Europës, duke detajuar pretendimet për abuzime të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë trafikimin e organeve nga UÇK-ja – pretendime që do të çonin, pesë vjet më vonë, në krijimin e një gjykate speciale që do të gjykojë anëtarët e UÇK-së, duke përfshirë edhe Thaçin”, thuhet në raportimin e Guardian.