Haziri: Lajçak e konfirmoi se Kurti e ka pranuar planin evropian bashkë me draftin e Asociacionit

2 minutes, 24 seconds Read

Nënkryetari i parë i LDK-së, Lutfi Haziri ka folur për media pas takimit me emisarin e BE-së, për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak.

Haziri tha se LDK-ja vazhdon të mbetet në “terr” informativ për shkak se ende nuk e ka parë draft-statutin e Asociacionit, të propozuar nga Bashkimi Evropian.

Ai theksoi se kryeministri Albin Kurti, duhet të tregohet transparent dhe t’i informojë deputetët e Kuvendit të Kosovës, në lidhje me dokumentin e propozuar nga BE.

“Po vazhdojmë të mbahemi në terr për shkak të moszbardhjes së dokumentit, mostransparencës… që duhet kryeministri t’ua ofrojë deputetëve dhe popullit të Kosovës. Konfirmova qëndrimin e LDK-së, që dialogu nuk ka opsion… situata pas 24 shtatorit ka ndryshu, qeveria nuk ka arritur ta kapitalizoj, ndryshimin e imazhit…”, tha ai.

Tutje ai tha se Lajçak e ka konfirmuar se kryeministri Kurti i ka thënë “PO”, planit të sekuencimit, zbatimit të marrëveshjes dhe propozimit evropian ku përfshihet draft-statuti për Asociacionin.

“Nuk kemi fol specifikisht për atë, sepse është detyrë e kryeministrit, ka rregulla dialogu. Nuk ka negociata, s’po shohim, palët po ofrojnë komente, ato nuk po negociohen. Është cështje që po e ruajnë procesin për veten e tyre, natyrisht një PO e konfirmume nga Kosova u tha edhe nga Lajcak, që Kosvoa e ka pranu planin e sekuencimit, zbatimin e marrëveshjes dhe modelin evropian”, tha ai.

Haziri bëri të ditur se nga Lajçak ka kërkuar të hiqen masat ndëshkuese për Kosovën, të cilat sipas tij kanë ardhur si pasojë e paaftësisë së Qeverisë së Kosovës.

“Jemi në situatën e njëjtë si para pesë jave, theksuam nevojën e heqjes së masave, Kosova të mos ndëshkohet për shkak të dobësive dhe paaftësisë së Qeverisë që ti nxjerrë situatat politike në favor të vendit”, tha ai.

Ai u pyet se nëse mungesa e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku në takim, kishte të bënte me çështje të sigurisë.

Haziri e mohoi këtë gjë, duke thënë se mungesa e tij është për shkak të angazhimeve të tjera në kuadër të partisë.

“Ka pasur angazhime të tjera, e kam përcjell kërkesën e tij. Abdixhiku e run kujdesin ndaj këtij dialogu si lider i partive. Po përgatitet për kuvendin zgjedhor të LDK-së”, tha ai.

“Nuk ka të bëjë, i ka besu vlerësimeve të organeve të shtetit, po sillet sipas vlerësimeve, nuk ka ndërpre asgjë në rutinën e tij. Policia e shtetit ka kapacitet të mjaftueshme profesionale, nuk e prek agjendën e tij, është rrit kujdesi i organeve të sigurisë. Ka edhe të tjerë, që u janë masa të tjera. Ka pasiguri juridike e edhe fizike”, vijoi ai.

Publikime te ngjashme