U mor në mbrojtje të afërt nga Policia, Krasniqi: S’ndihem i kërcënuar, ndërlidhet me zhvillimet në veri

0 minutes, 58 seconds Read

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pasi që Njësia për Mbrojtjen e Afërt e Policisë së Kosovës ka marrë në mbrojtje atë dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, ka thënë se nuk ndihet i kërcënuar, dhe se beson se një gjë e tillë ndërlidhet me situatën në Veri, pas sulmit terrorist atje më 24 shtator.

“Nuk jam, as nuk jam ndier kurrë i kërcënuar edhe kur na kanë rrjedhë informacione ose publikuar informacione për kërcënime me vrasje me gjëra të tjera, siç i dini edhe pak muajsh”, tha Krasniqi para gazetarëve pas takimit me Emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Por, ka qenë vlerësimi i organeve të sigurisë, në këtë rast i Policisë së Kosovës, besoj edhe me organet e tjera që të na ofrojnë mbrojtjen e afërt për arsye që ata do të duhej t’i tregojnë, por që ndërlidhet me zhvillimet dhe situatën e tensionuar dhe përkeqësuar pas sulmeve në Veri të vendit”, ka shtuar Krasniqi.

Publikime te ngjashme