Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova që të marrë veprime për të adresuar çështjen e heqjes së kollare së Jakup Krasniqit para seancës gjyqësore në Speciale të hënën.
Në një letër drejtuar Trendafilovës, Haxhiu e ka cilësuar akt absurd kërkesën për heqjen e kollares.
Të hënën, Specialja nuk ia lejoi Krasniqit ta bartë kollaren me shqiponjë, e të cilën e kishte bartur edhe në seanca të mëhershme. Në seancë u ngrit kjo çështje nga avokatja e Krasniqit, por kërkesa nuk iu adresua publikisht.
Specialja nuk është përgjigjur për këtë çështje as në pyetjet e KOHËS.
“Përmes kësaj letre, ju shkruaj lidhur me situatën e fundit që ka ndodhur në seancën gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës. Sipas informatave që kemi pranuar, para se z. Jakup Krasniqi të hynte në sallën ku mbahen seancat gjyqësore, iu është larguar kollarja që mbante veshur, pa asnjë arsye dhe pa asnjë justifikim. Madje kur kjo është ngritur si shqetësim nga avokatja, e njëjta ka marrë përgjigjen nga gjyqtari Charles Smith se ai nuk ka informacione dhe që do të interesohet për këtë. Ky veprim ka shkaktuar shqetësim të thellë dhe indinjatë në opinionin publik të Kosovës”, thuhet në letrën e Haxhiut drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara.
“Veprimi në fjalë përbën një ndërhyrje të panevojshme dhe të pajustifikueshme në integritetin personal dhe dinjitetin e z. Krasniqi. Kërkesa për heqjen e kollares është një akt absurd pasi që çdo individ, pavarësisht nga statusi i tij, ka të drejtën për një trajtim të respektuar dhe dinjitoz në gjykatë. Në këtë kontekst, unë kërkoj nga ju që të ndërmerrni hapat e nevojshëm për të adresuar këtë çështje dhe të siguroni që veprime të tilla të mos tolerohen në asnjë formë në të ardhmen”, përfundon letra e Haxhiut.
Krasniqi dhe ish-krerët tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen që nga nëntori i vitit 2020. Ata akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale, lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999. Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre.
Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën kryesore e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.