“Hap i rëndësishëm”, deputeti ukrainas jep sinjale pozitive për njohjen e Kosovës nga Ukraina – ja çka thotë për ‘kërcënimet’ e Vuçiqit

3 minutes, 0 seconds Read

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko njoftoi se është angazhuar që Ukraina të njohë pavarësinë e Kosovës.

Ai në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” mirëpriti vendimin e Kosovës për t’iu bashkuar Deklaratës së Përbashkët të Vendeve të G7 për Ukrainën.

Sipas tij, ky vendim shënon një hap shumë të rëndësishëm.

Goncharenko foli edhe për letrëne ligjvënësve amerikanë dhe evropianë që u është dërguar zyrtarëve të lartë në Bruksel, Uashington dhe Londër, për të kërkuar ndryshim të qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Ai bëri të ditur se është një nga personat që e ka nënshkruar këtë letër, derisa tha se duhet bërë çdo gjë për ta parandaluar një konflikt të ri në Ballkan, e që është pjesë e synimive të Putinit.

Ndër të tjera, komentoi edhe lidhjet Serbi-Rusi dhe ndikimin rus në rajonin e Ballkanit.

Intervista e plotë:

Gazeta “Bota sot”: Sa ka ndikuar lufta e Rusisë në Ukrainë në Ballkan përsa i përket sigurisë?

Oleksiy Goncharenko: Kjo është një luftë e nisur nga Rusia kundër Ukrainës. Dhe kjo ndikon në Ballkan, sepse Rusia, fatkeqësisht, ka ndikim atje. Sidomos në Serbi.

Gazeta “Bota sot”: Si po përhapet ndikimi rus në vendet e Ballkanit, veçanërisht në Serbi?

Oleksiy Goncharenko: Nuk do të jetë lajm nëse them se Rusia po i promovon në mënyrë shumë aktive idetë e saj dhe disa serbë janë të lumtur t’i mbështesin ato. Rusia, si gjithmonë, i promovon idetë e saj përmes propagandës. Në Serbi transmetohet kanali propagandistik rus RT dhe nuk është i vetmi kanal me propagandë. Kur thonë në TV se e gjithë bota është e keqe dhe Rusia është e mirë, në një moment njerëzit fillojnë ta besojnë.

Gazeta “Bota sot”: Së fundmi, një letër e ligjvënësve amerikanë dhe evropianë u është dërguar zyrtarëve të lartë në Bruksel, Uashington dhe Londër, për të kërkuar ndryshim të qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë, ajo përmbante edhe nënshkrimin e deputetit ukrainas Oleksandr Merezhko. Si e komentoni këtë, pasi ka pas reagime të shumta, madje edhe ‘kërcënim’ nga Vuçiq për Ukrainë?

Oleksiy Goncharenko: Unë kam qenë një nga ata që kam firmosur letrën. Besoj se duhet bërë çdo përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e situatës në Ballkan. Sepse Rusia ka shumë nevojë për të. Ata janë si parazitë që duan të destabilizojnë gjithçka rreth tyre. Është e dobishme për Putinin që të ketë një tjetër konflikt në Evropë për të shkëputur vëmendjen nga ngjarjet në Ukrainë.

Vuçiq na kërcënoi me përkeqësim të marrëdhënieve. Por a janë marrëdhëniet tona shumë të mira? Serbia nuk i është bashkuar ende sanksioneve anti-ruse. Kjo thotë shumë.

Gazeta “Bota sot”: Po ashtu, Kosova i është bashkuar Deklaratës së Përbashkët të Vendeve të G7 për Ukrainën, si e keni pritur këtë? Pas gjithë këtyre zhvillimeve, a mund të shpresohet në një njohje nga Ukraina për Kosovën?

Oleksiy Goncharenko: Fakti që Kosova iu bashkua deklaratës së përbashkët është një hap i rëndësishëm. Unë jam shumë aktiv duke avokuar që Ukraina të njohë pavarësinë e Kosovës. Shpresoj se do të më dëgjojnë së shpejti.

Publikime te ngjashme