Foto ekskluzive të gazetarëve gjermanë të vrarë në Suharekë nga mercenari rus në Ditën e Çlirimit

3 minutes, 38 seconds Read

13 qershori i vitit 1999 shënonte Ditën e Çlirimit të Suharekës nga pushtuesi serb dhe ardhjen e lirisë dhe paqes në këtë qytet.

Mirëpo, dy gazetarë gjermanë të revistës “Stern”, Gabriel Grüner e Volker Krämer, dhe përkthyesi i tyre, Senol Alit, nuk gjetën paqe në Qafën e Duhlës. Ata u vranë nga mercenari rus para syve të forcave serbe.

Tre viktimat përkujtohen çdo vit, pasi që atyre u është ngritur një memorial në vendin që u vranë.

Ballkani.info i ka siguruar ekskluzivisht fotografitë e ditës së kobshme, ku Gruner, Kramer dhe Alit shihen të vrarë afër veturës me të cilën po udhëtonin.

Si ndodhi vrasja e tyre?

Gabriel Grüner, 35 vjeç, dhe Volker Krämer, 56 vjeç, ishin fotoreporterë dhe gazetarë të revistës gjermane “Stern” që kishin raportuar shpeshherë nga zonat e luftës si në Bosnje, Afganistan e Algjeri. Ata kishin ardhur në Prizren posa kishin zbarkuar trupat paqeruajtëse të KFOR-it në këtë qytet. Pasi kishin bërë shumë fotografi nga lufta në Kosovë, dy gazetarët e kishin marrë udhën për të shkuar në Shkup. Posa të arrinin në Shkup, ata kishin në mendje që t’ia dërgonin fotot dhe raportet e tyre që i kishin realizuar në Kosovë redaksisë së revistës “Stern”, që e kishte selinë në Hamburg.

Në orën 17, dy gazetarët nisen nga Prizreni me një veturë me ngjyrë të kuqe. Bashkë me ta ishte edhe përkthyesi i tyre, Senol Alit, i cili ishte maqedon me prejardhje turke. Grüner e Krämer, para se të niseshin, i kishin shkruar shkronjat “TV” me ngjitës letre në tri anët e veturës.

Me të mbërritur në Qafën e Duhlës, një grup ushtarësh e ndali veturën e dy gazetarëve gjermanë dhe nuk i lejoi të vazhdonin tutje. “Mu në atë moment, një veturë Toyota erdhi me një shpejtësi rreth 80 kilometra në orë dhe u përplas në një kamion”, tha një ushtar serb, i cili dëshmoi për gazetarët hulumtues të revistës “Stern”.

Një burrë i vjetër, me kallashnikov në dorë dhe dy fëmijë, kishin dalur nga automjeti gjersa shoferi e kishte vozitur veturën prapa dhe e kishte bllokuar në një gropë. Senol Alit, përkthyesi i dy gazetarëve, e hapi dritaren dhe pyeti se çfarë po ndodh dhe se pse ishin ndalur. Burri i vjetër i ishte afruar veturës së gazetarëve dhe kishte thënë se kolona ishte ndalur nga forcat serbe dhe se po detyroheshin të ktheheshin në Suharekë. Burri i vjetër pastaj kishte shtuar se ky ishte një veprim jo i mençur, sepse UÇK-ja po qëllojnë gjithkënd me plumba në Suharekë. Senol Alit e kishte kundërshtuar këtë, duke thënë në gjuhën serbe se nuk kishte parë një rrezik të tillë në Suharekë.

Theksi turk i Alitit gjatë të folurit serbisht nuk i kishte pëlqyer burrit serb dhe ai kishte filluar ta shante duke e akuzuar se Aliti po dëshiron që të i dërgojë në kurth. Ai madje i kërcënoi duke i futur duart në xhep dhe duke thënë se do të ua gjuante një bombë në veturë. Shoferi i Toyotas, mercenari rus, Aleksander Tschernomatschensev, i cili ishte i veshur me uniformë ushtrie serbe, kishte qëndruar duke e dëgjuar fjalosjen e burrit të vjetër dhe Senol Alitit. Pastaj kishte shkuar me vrull dhe kishte rrëmbyer nga dora e burrit të vjetër kallashnikovin dhe e kishte shprazur të gjithë karikatorin drejt xhamit të hapur të Mercedesit me një largësi prej dy metrave. Mercenari e kishte hapur derën e veturës dhe i kishte nxjerrë zvarrë trupat e gazetarëve. Trupin e Senol Alitit e kishte hedhur në gërmadha, kurse dy trupat tjerë i kishte lënë në rrugë. Pastaj, mercenari e rrëmbeu veturën dhe u drejtua për në Shtime. Senol Alit dhe Volker Krämer kishin vdekur menjëherë gjatë sulmit, kurse Gabriel Grüner i kishte mbijetuar për pak kohë sulmit pasi ishte plagosur në abdomen. Më vonë, edhe Gabriel Grüner vdes në një spital fushor britanik në Brazda të Maqedonisë.

Publikime te ngjashme