Flet avokati-Këto janë shkaqet kryesore të rritjes së numrit të divorceve në vendin tonë

1 minute, 53 seconds Read

Shkurorëzimi në shoqërinë tonë është një dukuri në rritje dhe konsiderohet edhe shqetësuese për sa i përket numrit të shifrave të divorceve tek familjet shqiptare.

Instituti i Statistikave ka publikuar disa të dhëna, që tregojnë se nga 25 mijë martesa në vitin 1991, numri ra  në më pak se 20 mijë gjatë vitit 2021.

Për këtë çështje juristë dhe sociologë thonë se dhuna në familje dhe emigracioni janë shkaqet kryesore që po shtyjnë çiftet shqiptare që të ndahen. Arsye tjera që japin ekspertët ligjorë janë edhe rritja e pozicionit të femrës në shoqëri, diferencat në arsim dhe në prioritet, apo edhe bixhozi.

Në një prononcim të dhënë për KosovaPost avokati i Odës së Avokatëve të Kosovës, Asdren Bytyqi ka argumentuar disa shkaqe pse është rritur numri i divorceve.

“Mendoj që janë grumbuj shkaqesh që shpien në prishjen e raportit martesor mes çifteve, duke filluar nga mungesa e përkushtimit të mjaftueshëm ndaj njëri-tjetrit, si në aspektin shpirtëror, intim, kohor dhe shoqëror”, tha ai.

Bytyqi tutje ka përmendur edhe arsye tjera si tradhëtia bashkëshortore, papjekuria për ti bërë ballë sfidave martesore, ekonomike, të rritjes së fëmijëve, mungesa e pavarësisë financiare nga familja , duke shtuar se rrënimi i harmonisë, besimit dhe dashurisë në çift bëhet pikërisht nga të gjitha këto.

Avokati Bytyqi për KosovaPost argumentoi se faktori më së paku ndikues është varfëria sepse numri i divorceve është më i lartë tek shtresa e pasur dhe se një faktor tjetër me rëndësi është edhe dallimi i madh i formimit kulturor dhe social në mes të partnerëve.

“Ky shkak i ndarjeve është sidomos i shprehur tek martesat në mes të vajzave dhe djemve, mes të cilëve njëri është rritur dhe formuar në perëndim, kurse tjetri në Kosovë. Tek pas “shijimit fillestar” të martesës, dalin në pah dallimet e thella të mentaliteteve kulturore, sociale dhe psikologjike të formimit dhe sociologjisë së jetesës, me dallime themelore mbi pikëpamjet e jetës, bashkëshortësisë, familjes, shoqërisë, stilit të jetës dhe ndërveprimin me ambientin shoqëror”, shtoi ai./kosovapost.net

Publikime te ngjashme