Evropianët përkrahin propozimin e Ramës për Kosovën dhe Serbinë

2 minutes, 24 seconds Read

Propozimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama që të organizohet një konferencë ndërkombëtare për të zgjidhur problemin mes Kosovës dhe Serbisë, ka gjetur përkrahjen e disa prej akterëve kryesorë në Bashkimin Evropian. Propozimi i Ramës akoma është i paqartë, pasi ai nuk ka dhënë shumë detaje se si do të dukej një konferencë e tillë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ia ka shtuar javët e fundit një detyrë të re vetes. Është përfshirë në zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë.

Fillimisht dorëzoi një draft-statut për Asociacionin, kurse para pak ditësh propozoi organizimin e një konference ndërkombëtare për dy shtetet. Kjo ide ka gjetur përkrahjen e evropianëve.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel mbështeti idenë, kurse Rama mori lëvdata edhe nga emisari Miroslav Lajcak për angazhimin e tij.

Ish-këshilltari i kryeministrit shqiptar, Shkëlzen Maliqi, tregon se si mund të duket një konferencë e tillë.

“Të mbahet një konferencë intensive ku mbyllen akterët me një kështjellë, ashtu siç ka qenë në Rambuje ose në Dejton për Bosnjen. Do të thotë të gjendet një vend ku intensivisht negociohet tërë kohën. Zakonisht jo direkt, por janë negociatiorët që flasin herë me një palë e herë me tjetrën, duke i koordinuar ato”, ka thënë Maliqi.

Maliqi thekson se këto nuk janë vetëm ide të Ramës.

Sipas tij, pasi Shqipëria është një anëtare e NATO-s, ndërkombëtarët po ia kërkojnë asaj përfshirjen.

“I ka dy motive pse ai i bën këto. Një, sepse e ka thënë disa herë, problemi Kosovë Serbi nuk i bllokon vetëm këto dy vende, por e bllokon edhe krejt rajonin… E dyta është se Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ndonjëherë i ka edhe disa obligime që vijnë prej kësaj organizate dhe Perëndimi në njëfarë forme ia delegon te Rama ose te Shqipëria”, ka shtuar Maliqi.

Rama nuk ka dhënë shumë detaje për propozimin e tij. Prandaj, ai është i paqartë edhe për analistët në Shqipëri.

“Konferenca eshët pak e papërcaktuar sepse nuk mund të ulen dy vende ku Serbia nuk e njeh Kosovën për asnjë shkak, kurse Kosova ndodhet para një situatë ku tregon se nuk e ka juridiksionin brenda sipërfaqes së saj të administrimit. Dhe mendoj se konferenca është e paqartë edhe nga organizatorët e saj, në mënyrën dhe modulin se si do të ndodh”, ka thënë Ben Andoni.

Tentimi i Ramës për t’u bërë pjesë e një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, nuk është pritur mirë nga kryeministri Albin Kurti./Dukagjini

Publikime te ngjashme