Erdoğan dhe Mitsotakis diskutojnë konfliktin Palestinë-Izrael dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në rajon

1 minute, 42 seconds Read

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, kanë diskutuar situatën e fundit në Rripin e Gazës, si dhe shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë përleshjeve të armatosura vdekjeprurëse midis forcave izraelite dhe grupit palestinez Hamas, transmeton Anadolu.

Siç njofton Presidenca Turke, gjatë një bisede telefonike me kryeministrin Mitsotakis, presidenti Erdoğan shprehu angazhimin e Türkiyes për vazhdimin e përpjekjeve që synojnë de-përshkallëzimin e situatës, e cila ka potencial të ketë pasoj negative rajonale dhe globale.

Erdoğan theksoi rëndësinë e vendeve të rajonit që jo vetëm të ruajnë paqen, por edhe të parandalojnë në mënyrë proaktive konfliktet e shkeljet e të drejtave të njeriut dhe duke e përcjellë këtë mesazh në botë, me një rekomandim për marrjen e menjëhershme të masave për uljen e tensioneve, në vend të përkeqësimit të tyre.

Dhjetë ditë pas konfliktit me grupin palestinez Hamas, bombardimet izraelite dhe bllokada e Rripit të Gazës kanë vazhduar, me mbi 1 milion njerëz të zhvendosur, pothuajse gjysma e popullsisë së Gazës.

Gaza po përjeton një krizë të tmerrshme humanitare pa energji elektrike, derisa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë, ndërsa civilët ikin në jug pas paralajmërimit të Izraelit për të evakuuar zonat veriore.

Luftimet filluan kur Hamasi më 7 tetor nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm shumë-dimensional, përfshirë një breshëri lëshimesh të raketave dhe infiltrimesh në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit. Grupi tha se sulmi ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa dhe rritjes së dhunës së kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi një operacion kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.

Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet ajrore izraelite në Gaza është rritur në 2.750, përfshirë 750 fëmijë, ndërkohë në Izrael janë vrarë 1.300 persona.

Publikime te ngjashme