Ekskluzive: Lufta për “Termokosin” përçan LDK-në, Abdixhiku dhe Rama drejt divorcit politik

2 minutes, 51 seconds Read

Një krizë e brendshme brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë ka shpërthyer tashmë hapur, duke vendosur në pozicione kundërshtuese liderin e partisë, Lumir Abdixhikun, dhe kryetarin e kryeqytetit, Përparim Ramën.

Gjatë ditëve të fundit, kjo përplasje ka marrë përmasa serioze, ku sipas burimeve të mirinformuara, raportet mes tyre janë tensionuar deri në atë pikë sa është ndërprerë çdo lloj bashkërendimi i aktiviteteve politike.

e designplus-ks.com
Smart Watches
Buy Now
Headphones
Buy Now

Megjithëse Rama deri vonë shihej si një nga shtyllat kryesore të projektit politik të Abdixhikut në Prishtinë, duke gëzuar mbështetjen e plotë të LDK-së, zhvillimet e fundit dëshmojnë një thyerje të pakthyeshme në këtë aleancë.

Burime të sigurta konfirmojnë se zanafilla e konfliktit lidhet drejtpërdrejt me ndërmarrjen publike “Termokos”, ku thuhet se Abdixhiku ka insistuar të ketë ndikim vendimtar në menaxhimin e saj.

Në këtë mes, po lakohen emrat e Arton Ratkocerit dhe Shkumbin Gashit, të cilët rrethi i afërt i kryetarit Rama i sheh si figura që po tentojnë të diktojnë vendimmarrjen brenda ndërmarrjeve komunale, veçanërisht në “Termokos”.

Nga ana tjetër, Përparim Rama ka shfaqur rezistencë ndaj kësaj qasjeje, duke kërkuar që ndërmarrjet e Prishtinës të qeverisen në mënyrë autonome, pa ndërhyrje nga faktorë jashtë administratës së tij komunale.

Kjo situatë ka prodhuar një konfrontim të ashpër mes dy palëve, duke sjellë si pasojë një përkeqësim drastik të komunikimit mes strukturave qendrore dhe atyre lokale.

Ndërkohë, brenda degëve të LDK-së në Prishtinë tashmë po qarkullon prerazi lajmi se “rrugët mes tyre janë ndarë”.

Informacionet nga brenda partisë bëjnë me dije se Abdixhiku u ka bërë të qartë bashkëpunëtorëve të tij se nuk ka më koordinim me Ramën, ndërsa një mesazh identik është përcjellë edhe nga Rama te stafi i tij në Komunë.

Megjithatë, këto zhvillime dramatike nuk pritet të përfundojnë me kaq.

Sipas burimeve të Sinjalit, në ditët në vijim pritet një valë ndryshimesh në drejtoritë komunale, përfshirë largime të zyrtarëve besnikë të Abdixhikut dhe rishikim të pozitës së nënkryetarit.

Vëmendja mbetet te Drejtoria e Investimeve Kapitale, për të cilën thuhet se Rama do të shkëpusë çdo ndikim të jashtëm politik, duke mos lejuar më qeverisjen nga njerëz të afërt me liderin e LDK-së.

Kjo krizë po ndodh në një moment tejet delikat politik, kur vendi po bëhet gati për të hyrë në një cikël të ri të zgjedhjeve parlamentare.

Një ndarje e tillë rrezikon të dëmtojë rëndë pozicionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, si në kryeqytet, ashtu edhe në nivel kombëtar.

Ndonëse kjo vlerësohet si përplasja më e rëndë deri më tani, burimet tregojnë se tensione mes Abdixhikut dhe Ramës ka pasur edhe në të kaluarën.

Si pikë irritimi përmendet edhe një billbord në Veternik, i cili thuhet se lidhej me rrethin familjar të Abdixhikut, e që ishte larguar me urdhër të Ramës, duke shkaktuar pakënaqësi të mëdha.

Mbetet të shihet nëse këto mospajtime do të arrijnë të sanohen përmes ndonjë marrëveshjeje të fundit, apo kjo çarje do të thellohet edhe më shumë në ditët e ardhshme./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme