Ekskluzive nga Brukseli: Marta Kos jep sinjale për “lëvizje” të pesë shteteve mosnjohëse ndaj Kosovës

1 minute, 57 seconds Read

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, i ka cilësuar si “inkurajuese” zhvillimet e fundit rreth pesë vendeve anëtare të bllokut që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Përgjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, raportuesi për Kosovën, Riho Terras, kërkoi llogari nga komisionerja mbi hapat konkretë që po ndërmerr Komisioni Evropian dhe rezultatet e bisedimeve me këtë bllok shtetesh.

e designplus-ks.com
Smart Watches
Buy Now
Headphones
Buy Now

“Lidhur me pesë shtetet mosnjohëse, unë jam duke i monitoruar nga afër proceset dhe mund të them se zhvillimi është inkurajues”, u mjaftua me këtë deklaratë të shkurtër Kos, pa zbuluar hollësi të tjera diplomatike.

Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja mbeten pesë vendet e bllokut evropian që vazhdojnë të mos e njohin shtetësinë e shpallur nga Kosova në vitin 2008.

Ky qëndrim refuzues i tyre vazhdon të shihet si barriera kryesore që pengon integrimin e plotë dhe rrugëtimin evropian të Republikës së Kosovës.

Ndonëse Kosova ka deponuar aplikimin për anëtarësim që në dhjetor të vitit 2022, procesi mbetet i bllokuar në fazën fillestare të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së, pa kaluar ende për opinion në Komision.

Gjatë këtij sesioni, Terras e pyeti gjithashtu zyrtaren evropiane për arsyet e mosvizitës së saj në Prishtinë deri më tani, derisa ajo u përgjigj se mban kontakte të vazhdueshme me autoritetet kosovare.

Ajo sqaroi se rrethanat politike kanë diktuar shtyrjen e agjendës së saj, por paralajmëroi një vizitë të shpejtë në Kosovë me fokus te reformat që ndërlidhen me Planin e Rritjes.

“Masat ndëshkuese janë larguar dhe presim që Qeveria të përshpejtojë reformat për të shfrytëzuar mbështetjen e bllokut, andaj së shpejti do të jem në Prishtinë për këtë qëllim”, potencoi ajo.

Më 16 prill, Kosova ka inkasuar 61.8 milionë euro si parafinancim, pas përmbushjes së kritereve dokumentare dhe ratifikimit të marrëveshjeve që ndërlidhen me këtë plan investiv.

Ky fond është pjesë e pakos 6 miliardëshe të BE-së për Ballkanin (2024-2027), ku Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro, duke u radhitur si përfituesja më e madhe në rajon për kokë banori./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme