E tha në gjykatë “Na shihemi apet”, ndalohet për 48 orë babai i të dënuarit për plagosjen në Dragash

1 minute, 20 seconds Read

Na shihemi apet” – kjo ishte fjalia e cila u interpretua si kërcënim nga babai i Omer Muhametit, i dënuar nga shkalla e parë në Prizren, për plagosjen që ndodhi më 26 prill 2024 në Dragash.

Incidenti ndodhi gjatë seancës ku u shpall aktgjykimi dënues për Muhametin, kur Kadri Qusaj dhe vajza e tij ishin të pranishëm në sallë.

Policia e Prizrenit ka njoftuar se babai i të dënuarit është ndaluar për 48 orë për veprën penale të kanosjes.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, konfirmoi se është ndaluar për 48 orë, me urdhër të prokurorit kujdestar, për “veprën penale të kanosjes.”

Omer Muhameti u dënua me 3 vjet e gjashtë muaj burgim nga gjyqtarja Teutë Krusha për veprat penale të tentim vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje.

Në seancë ishin të pranishëm gjithashtu prokurori Mejdi Sefa, prindërit e Omer Muhametit, si dhe Kadri Qusaj me vajzën e tij dhe avokatin. Vajza e Kadri Qusajt ka konfirmuar se ata kanë raportuar rastin në Polici dhe se organet e rendit janë duke u marrë me të.

Ajo shtoi se prokurori i udhëzoi që të raportojnë rastin, ndërsa i dyshuari është thirrur për t’u paraqitur në stacionin policor.

“Janë shoqëruar, palët dhe janë duke u intervistuar në stacion, si viktimat ashtu edhe i dyshuari. Policia, së bashku me prokurorinë e shtetit, kanë filluar hetimet dhe rasti po cilësohet si rast kanosje. Ende nuk ka vendim për ndonjë ndalim,” tha Vesel Gashi.

Publikime te ngjashme