Dhuna e fisit Rraja ndaj kushërinjve Maja, shkon në 8 numri i të ndaluarve

1 minute, 40 seconds Read

Ka shkuar në tetë numri i personave të shoqëruar dhe ndaluar në lidhje me dhunën që u ushtrua ndaj kushërinjve Maja dy ditë më parë në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë.

Po ashtu, polica njofton se edhe numri i të shpallurve në kërkim ka shkuar në gjashtë.

Gjatë operacionit janë kontrolluar 20 banesa, biznese dhe ambiente të ndryshme në pronësi të personave të shpallur në kërkim Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja, dhe Rexhep Rraja, dhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Gjithashtu gjatë mëngjesit të sotëm, u shoqëruan në polici katër persona me lidhje të afërta  fisnore dhe shoqërore të të shpallurve në kërkim.

Po kështu, pas kqyrjes së pamjeve filmike u identifikuan dhe dy persona të tjerë të përfshirë të cilët u shpallën në kërkim, konkretisht Edison Meta, 27 vjeç dhe Përparim Rraja, 48 vjeç.

Ndërsa gjatë ditës së djeshme u shpallën në kërkim dhe 4 shtetas të tjerë Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja, dhe Rexhep Rraja.

Po në lidhje me këtë ngjarje, Policia ndaloi të premten, Ineidi Rrajan, Eni Kullajn, Kujtim Përdakun dhe Andi Rrajën, për veprat penale  “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Gjithashtu, bëhet e ditur se do të rinovohet e tërë trupa e niveleve zbatuese dhe drejtuese të Komisariatit të Policisë Krujë dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj është drejtuesi operacional dhe përgjegjësi për çështjet e rendit dhe sigurisë, në juridiksionin territorial të këtij komisariati.

Policia e Shtetit i bën thirrje Xhelal Rrajës dhe Rexhep Rrajës, si organizatorë të kësaj ngjarje për tu dorëzuar sa më parë, së bashku me personat e tjerë të shpallur në kërkim.

Publikime te ngjashme