Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka ndaluar për 48 orë tre persona të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit”.
Dy nga të ndaluarit nga 48 orë janë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, njëri në Divizionin për të Huaj dhe tjetri në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC).
“Sipas dyshimeve të bazuara në fazën fillestare, të dyshuarit me inicialet F.Sh., dhe G.J., në cilësinë e personave zyrtarë, dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe i dyshuari me inicialet D.K., dyshohet për kryerjen e veprës penale ‘’Falsifikimi i dokumentit’’, nga neni 390 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, nga hetimet e deritanishme rezulton se të dyshuarit F. Sh., dhe G.J., në cilësinë e personave zyrtarë dyshohen, se në bashkëkryerje kanë lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj, duke u mundësuar atyre pajisjen me dokumentacionin përkatës, përmes të cilit dyshohet se kanë përfituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.
Ndërkaq, i dyshuari me inicialet D.K., dyshohet se ka falsifikuar dokumente të ndryshme me qëllim që t’iu mundësojë personave të tjerë të aplikojnë dhe të pajisen në mënyrë të kundërligjshme me leje qëndrimi në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
