Deputeti i VV-së paralajmron tendenca për destabilizim gjatë kohës së betimit të kryetarëve në veri!

2 minutes, 0 seconds Read

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexha, thotë se Kosova ka treguar seriozitet me vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore, ndonëse pa pjesëmarrjen e Listës Serbe.

Sipas tij, po të shtyheshin zgjedhjet edhe njëherë ky do të ishte “një prapakthim shumë i kobshëm”, transmeton gazeta online Reporteri.net.

“Mendoj që Republika e Kosovës ka treguar seriozitet pikërisht me mbajtjen e zgjedhjeve, ani pse Lista Serbe i ka bojkotuar ato. Ka pasur tendenca dhe kjo është kthyer edhe në realitet duke i frikësuar qytetarët e Kosovës, kryesisht komunitetin serb atje për mos me dal në zgjedhje. Unë mendoj që do të ishte një prapakthim shumë i kobshëm, nëse realisht do të shtyheshin edhe një herë zgjedhjet. Edhe SHBA i ka përkrahur këto zgjedhje”, deklaroi ai në TV1.

I njëjti ka komentuar edhe betimin që së shpejti fituesit e zgjedhjeve do ta bëjnë në katër komunat e veriut të Kosovës.

Ndonëse tha se ekziston mundësia për përshkallëzim nga ana e serbëve, institucionet e sigurisë do të vëzhgojnë nga afër.

“Ajo që më pengon mua, që nuk kam pasur mundësi të them në një studio tjetër është fushata kundër kryetareve atje të cilët nuk janë vetëm të LVV-së. Serioziteti i institucioneve të Republikës së Kosovës është matur me mbajtjen apo jo të zgjedhjeve atje. Zgjedhjet janë mbajtur, se kur do të betohen kryetarët është çështje procedural, por unë jam shumë i sigurt që do të betohen. A do të këtë tendenca për destabilizim? Këtë edhe mund ta bëjnë, por institucionet tona të sigurisë janë në nivel të detyrës dhe sigurisht Republika e Kosovës nuk do të lejojë asnjë përshkallëzim. Ka pasur raste në të kaluarën, tendenca të tilla për destabilizim, mirëpo këto gjëra nuk ndodhin”, tha ai.

I pari nga kryetarët e përzgjedhur që do ta bëjë betimin është ai i Mitrovicës së Veriut, i cili betohet të premtën.

Ndërkaq Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal ka thënë se ceremoni të betimit do të organizohen edhe në komunat e tjera veriore, përkatësisht Leposaviq, Zubin Potok, dhe Zveçan.

Publikime te ngjashme