DASH mbështet aksionin e policisë: Kemi shqetësime serioze për MEK si organizatë

1 minute, 19 seconds Read

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin aksionin e zhvilluar nga policia shqiptare në kampin e MEK në Manzë. Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një zëdhënësi të tij thekson se përkah të drejtën e autoriteteve shqiptare për të hetuar çdo veprimtari të paligjshme brenda territorit shqiptar.

“Policia e Shtetit në Shqipëri na ka siguruar se të gjitha veprimet janë kryer në përputhje me ligjet në fuqi, përfshirë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të gjithë personave në Shqipëri. Ne mbështesim të drejtën e Qeverisë së Shqipërisë për të hetuar çdo veprimtari të mundshme të paligjshme brenda territorit të saj”.

Më tej Departamenti Amerikan i Shtetit nënvizon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e cilësojnë MEK një organizatë demokratike dhe se kanë shqetësime serioze lidhur me abuzime ndaj anëtarëve të saj.

“SHBA-ja nuk e cilëson MEK-un lëvizje opozitare të qëndrueshme demokratike që përfaqëson popullin iranian, por ka shqetësime serioze për të si organizatë, përfshirë akuzat për abuzim të kryera kundër anëtarëve të tij”.

Gjithashtu zëdhënësi i DASH-it ka theksuar se SHBA-ja nuk ofron mbështetje apo trajnime për MEK-un dhe nuk kontribuon në financimin e kësaj organizate.

Të martën policia shqiptare në zbatim të një urdhri të gjykatës kreu kontrolle në kampin e muxhahedinëve në Manzë, por hasi në rezistencën e dhunshme të anëtarëve të kësaj organizate.

Publikime te ngjashme