Caktohen katër seanca gjatë muajit prill për gjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

1 minute, 18 seconds Read

Në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), në kalendar të gjykimeve, është bërë e ditur se në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, janë caktuar katër seanca për muajin prill.

Një seancë është caktuar për 3 prill, datë e cila është caktuar edhe si datë e fillimit të gjykimit. Po ashtu, seanca u caktuan edhe për 4 dhe 5 prill, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Derisa, 11 prilli është caktuar si datë, ku pritet të fillohet me paraqitjen e provave të Prokurorisë, respektivisht me dëgjimin e dëshmitarëve.

Të gjitha këto seanca pritet të fillojnë në orën 9:30, por se do të transmetohen me 45 minuta vonesë për publikun.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Publikime te ngjashme