Me liberalizimin e vizave vendi ka shënuar rënie të aktiviteteve ekonomike, kjo vërehet më së shumti tek sektori gastronomisë. Kjo për shkak, vizitave të ndryshme në rajon dhe Evropë që po bëjnë qytetarët e Kosovës.
Kështu, vlerësojnë njohës të ekonomisë dhe biznese, të cilët kërkojnë nga qeveria të krijojë mekanizma rregullues që fuqizojnë ato biznese dhe krijojnë qëndrueshmëri afatgjate. Ndërsa, ditë më parë në një paraqitje publike, kryeministri Albin Kurti ka thënë se ka rritje të qarkullimit të bizneseve për vitin e fundit.
Megjithatë, ky fluks i shtuar i qytetarëve që po vizitojnë vende të ndryshme jashtë Kosovës, vërehet edhe tek agjencitë turistike të cilat pohojnë se ka rritje të numrit të udhëtarëve.
Pronari i një agjencion të autobusëve në vend, Miran Fejzullahu pohon se në krahasim me vitin e kaluar është rritur numri i qytetarëve që duan të vizitojnë vende të ndryshme të rajonit e Evropës.
Sipas tij, vikendi është më i ngarkuar, për çfarë thotë se janë rreth 600 udhëtarë çdo fundjavë.
“Për një 30 për qind është rritur, kompania jonë bënë udhëtime çdo javë por pas vizave është edhe një 30 për qind që është rritur më shumë angazhimi. Ne kemi statistika, vikendeve jemi të angazhuar më shumë dhe gjatë javës më pak, kemi diku rreth 500-600 udhëtarë çdo fundjavë, vendet që vizitohen më shumë janë në periferi të Kosovës Selaniku, Sofia, Dubrovniku”, thotë Fejzullahu.
Se ka rënie të aktivitetit, e thonë edhe pronarë të bizneseve. Sipas tyre, kjo rënie vërehet më së shumti në vikend.
Menaxheri i një kafiterije në kryeqytet, Florim Aliu, thotë për KosovaPress se për shkak të vizitave të shumta që po bëjnë qytetarët në vende të rajonit, vërehet se ka rënë fluksi i punës në vikende.
“Fluksi është i madh që po dalin jashtë vendit, por nuk është se tani ka një ndikim të madh, nuk vërehet shumë tek puna, por kuptohet që ka pak ndikim. Mirëpo, vikendeve po vizitojnë rajonin disa vende që kanë qenë me viza por që janë më afër Kosovës, vikendi mund të jetë më i dobët, sepse po shihet kjo”, thotë Aliu.
Në anën tjetër, edhe njohës të ekonomisë konsiderojnë se pas liberalizimit të vizave ka rënie të qarkullimit të bizneseve e po ashtu edhe të shitjeve.
Kryetari i Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë se nga raportimet që marrin nga kompanitë vërehet se ka rënie të qarkullimit në këta dy muajt e parë të vitit.
“Është akoma herët, por megjithatë të përçojmë deklaratat ose raportimet të cilat i marrim nga ana e kompanive, vërehet një rënie e qarkullimit në këta dy muajt e parë të vitit, tek kompanitë e shitjeve me pakicë dhe të sektorit të gastronomisë. Uroj që megjithatë në muajt në vijim do të shohim ndryshim për sa i përket qarkullimit, duket që megjithatë nuk ka ikje masive të fuqisë punëtore. Rrjedhimisht edhe vizitat e para të qytetarëve në vendet e BE-së të cilat i pamë në numër shumë më të madh menjëherë pas liberalizimit të vizave të stabilizohen dhe të shohim një rikthim të aktivitetit ekonomik së paku në terma krahasimor me periudha të ngjashme të para një viti”, thotë Zeka.
Ndërkaq, njohësi tjetër i ekonomisë, Besnik Avdija, thotë se institucionet përgjegjëse duhet të krijojnë mekanizma afatgjatë që i fuqizojnë bizneset.
“I dëmton bizneset sepse paraja po largohet dhe po shkon dikur tjetër, por mekanizmat rregullues që mund të shfrytëzojnë institucionet nuk duhet të jenë vetëm në kuptim të zgjidhjeve afatshkurtra ose populiste, por duhet gjetur mekanizma që fuqizojnë ato biznese dhe krijojnë qëndrueshmëri, në kuptimin që mos të vërehen nga një fundjavë që si të largohen qytetarët brenda dy muajve bizneset tona të nisin procedurat e shuarjes”, thotë Avdija.
Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna vlerëson se deri në muajin qershor pritet të stabilizohet kjo rënie e aktivitetit.
“Shoqatat të cilat i kemi brenda Odës Ekonomike, shoqata e gastronomisë na ka sjellë të dhëna dhe ka dëshmuar se ka një rënie, është e arsyeshme, për shkak se janë muajt e parë të liberalizimit të vizave dhe është mundësi që qytetarët e Kosovës nuk kanë pasur mundësi të shfrytëzojnë më herët. Është e natyrshme që deri në muajin maj, qershor, të ketë një lëvizje më të theksuar”, thotë Rafuna.
Ndërsa, qytetarët e Kosovës nga 1 janari mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtetet e zonës Schengen dhe janë të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza në këtë zonë.