Avokati i Thaçit tregon se në cilësi të dëshmitarëve për të vertetuar pafajësinë e Thaçit kanë ftuar Clarkun, Kouchnerin e të tjerë!

1 minute, 50 seconds Read

“Për Joe Biden nuk e di nëse do të mund të vij sepse tash është President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mirëpo kemi ftuar figura të tjera si gjenerali Wesley Clark, ambasadori Kouchner dhe të tjerë të cilët kanë pasur lidhje me Kosovën. Për shkak që Gjykata nuk ka lejuar që ata të dëgjohen më herët, shpresoj që ata të jetojnë sa më gjatë”.

Kështu ka deklaruar avokati i Thaçit, Gregory Kehoe para mediave.

Kjo deklaratë e tij vjen pas fjalimit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi i cili iu drejtua Speciales ku theksoi se i vjen keq që për pafajësinë e tij s’do të mund të dëshmojnë disa figura të larta botërore por edhe ato vendore.

Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Madeleine Albright, Richard Hoolbroke e disa të tjerë, janë përmendur nga Thaçi si emra që i vjen keq që s’do të mund të dëshmojnë.

E për këtë avokati Kehoe ka thënë se ka ftuar disa figura të tjera të cilët kanë pasur lidhje me Kosovën të cilët nuk janë lejuar më herët të dëgjohen nga Gjykata Speciale.

Ndryshe gjatë fjalimit të tij, Thaçi, tha se ndien keqardhje për të gjitha viktimat dhe sërish u shpreh i pafajshëm.

Ndryshe, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të martën se procesi gjyqësor kundër tij në Gjykatën e Posaçme në Hagë, e hoqi “renë e zezë” mbi Kosovën, sa u përket pretendimeve për trafikim organesh nga pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të ngritura nga ish senatori zviceran, Dick Marty.

Thaçi i bëri këto komente në ditën e dytë të procesit gjyqësor kundër tij dhe tre ish zyrtarëve të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria i ngarkon ata për veprat; përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.

Publikime te ngjashme