Intervistohen edhe katër persona të FFK-së për keqpërdorim të besimit dhe shmangie nga tatimi

1 minute, 30 seconds Read

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, gjegjësisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka bërë të ditur se janë intervistuar edhe katër persona prej Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në njoftim bëhet e ditur se katër personat e dyshuar akuzohen për keqpërdorim të besimit dhe shmangie nga tatimi.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, gjegjësisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Prishtinë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, sot me datë 04.04.2023, në vazhdën e hetimeve të zhvilluara në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), kanë intervistuar katër persona nën dyshimet për zhvatje, respektivisht keqpërdorim në pasurin dhe interesat e FFK-së”, thuhet fillimisht në komunikatë.

“Personat e dyshuar, dyshohet se kanë keqpërdor autorizimet e tyre me qellim që personit të huaj ti sjellin dobi pasurore të kundërligjshme duke lejuar pagesën e faturës për blerjen e një veture”.

“Andaj si rezultat i hetimeve të realizuara nga Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Prishtinë, dyshohet se vetura e lartcekur në mënyrë të kundërligjshme është përvetësuar dhe regjistruar në emër të personit privat në FKK, andaj e njëjta është sekuestruar”.

“Mbi bazën e këtyre veprimeve është krijuar dyshimi se katër personat e dyshuar, dyshohet se ka kryer veprat penale:Keqpërdorim i besimit dhe Shmangia nga tatimi”.

“Andaj në konsultim dhe koordinim me Prokurorin kompetent nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, përfundon njoftimi nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Publikime te ngjashme