Avokati Gashi thotë se videomesazhin Kurti e bëri qëllimshëm dhe me motiv politik drejtuar serbëve për vrasjen e Ivanoviqit

4 minutes, 0 seconds Read

Avokati Tomë Gashi ka komentuar videomesazhin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me rastin e përvjetorit të pestë të vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq në veri të Mitrovicës.

Ky videomesazh ka nxitur reagime të shumta nga qytetarët, figura politike dhe publike të vendit, sidomos kur vetëm një ditë më vonë, sot, shënohet përvjetori i vrasjes së vëllezërve Gërvalla, Kadri Zeka dhe po ashtu edhe përvjetori i 555-të i vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Por, Gashi tha se nuk duhet të krahasohen dhe përzihen këto epitete dhe nuk duhet t’u jepet i njëjti konotacion.

“Nuk mund t’i perziejnë epitetet siç janë për vëllezërit Gërvalla, nuk mund ta përziejmë as përvjetorin e 555 të vdekjes së heroit tonë kombëtar, dhe nuk besoj që historia e njerëzimit të ketë dikë si ai që ka ndalë hyrjen e turqve ose otomanëve në Evropë. Dhe sigurisht, përkujtimi për secilin pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ka kurrfarë konotacioni që mund të ndërlidhet me atë që kryeministri ynë Albin Kurti tha dje për përvjetorin e vrasjes së Oliver”, tha Gashi në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova.

Avokati shtoi se ky mesazh politik i Kurtit ishte i qëllimshëm që të dërgonte porosi te serbët “sepse Ivanoviqi është vrarë nga serbët”.

“Konotacioni politik duhet të shihet se Albin Kurti dëshiroi të thotë se kjo ditë ishte përkujtim i qëllimshëm i Oliver Ivanoviqit, sepse atë e kanë vrarë serbët. Ivanoviqi ishte i pari që deshi të fusë një pluralizëm politik te serbët dhe në atë kohë ishte kandidat, si politikan serioz nga popullata serbe në veriun e Kosovës që ta zëvendësojë kryetarin e komunës së Mitrovicës Veriore, duke e eliminuar atë të Listës Serbe që ishte kandidat”, u shpreh avokati.

Gashi përmendi edhe procesin gjyqësor të Ivanoviqit, si i akuzuar për krime të luftës ndaj shqiptarëve, i cili tha se rasti i tij është kthyer në rigjykim.

“Lënda është kthyer në rigjykim, dhe nuk besoj që Albin Kurti e di se çfarë po ndodhë që 5 vjet në gjykimin e disa të arrestuarve që janë sipas Prokurorisë Speciale të përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit. Ne kemi aty dëshmitarë anonimë dhe dëshmitarë të fshehur dhe shumica e tyre janë serbë të pjesës veriore, të cilët frikësohen për të dhënë dëshmi konkrete për ta identifikuar vrasësin e tij”, tha Gashi.

Tutje, ai tha se që të gjithë e dinë se, “të gjitha institucionet duke përfshirë edhe policinë dhe prokurorinë tonë, edhe ndërkombëtarët, e dinë që Ivanoviqin e kanë vrarë struktura paralele serbe të dirigjuara nga Vuçiqi, nga Beogradi”.

“Nëse ne politikën e Albin Kurtit nuk e kuptojmë, se ai po don ‘me gjujt gurin’ në Serbi, sepse ata kanë vrarë njeriun e tyre”, theksoi avokati Gashi.

Ndyshe, kryeministri Kurti në pesëvjetorin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, përmes një videomesazhi, ka thënë se “Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike”.

“Pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviq u vra në rrugët e Mitrovicës. Të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Nevojitet angazhim i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij”, tha ai.

“Vrasja e Oliverit ndikoi gjithë shoqërinë. Ky krim vrau jo vetëm Oliver Ivanoviqin, por edhe pluralizmin politik te serbët. Kosova do të jetë e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një shoqëri multikulturore dhe shumë etnike ku njerëzit ndihen të sigurt, mund të thonë mendimet e tyre dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, edhe nëse nuk pajtohen. Në këtë mënyrë të gjithë do ta ruajmë kujtimin e Oliver Ivanoviqit”, tha Kurti.

Publikime te ngjashme