Atentat në Lushnje, vriten dy të rinj

1 minute, 20 seconds Read

Dy të rinj u vranë pasditen e së mërkurës në Lushnjë në një atentat të mirëpërgatitur dhe një i tretë është plagosur rëndë.

Viktimat janë Zaimir Latifi, 23 vjeç dhe Jurgen Hoxha, 22 vjeç, ndërsa pronari i lokalit, Marius Xhepexhiu, 26 vjeç, është në gjendje kritike për jetën. po ashtu lëndime të lehta ka marrë edhe një 66-vjeçar me inicialet B.T.

Dy shënjestrat e atentatit po qëndronin pranë një lokali të frekuentuar prej tyre çdo ditë ne lagjen “Loni Dhamo” në vendin e quajtur Ura e Çeleve.

Nga Hyrja e qytetit ka ardhur mjeti ku ndodhej një person me maskë dhe me kallashnikov në dorë, i cili ka qëlluar me breshëri duke i vrarë në vend dy të rinjtë. Më pas automjeti është larguar për në perëndim të qytetit ndërsa policia ka nisur kërkimin e autorit.

Dëshmitarët në vendin e ngjarjes tregojnë se gjithçka ishte e përgatitur dhe nuk bëhej fjalë për një ngjarje të momentit.
Lushnja, qyteti që ka vuajtur shumë nga luftërat e bandave të 1997-s, kishte kohë pa parë një ngjarje të këtij lloji.

Vendi ku ndodhi vrasja është shumë pranë komisariatit të policisë. Sapo janë dëgjuar krismat në vendin e ngjarjes mbërritën policët që rrethuan zonën.

Viktimat janë identifikuar shpejt ndërsa janë marre në pyetje dëshmitarët e ngjarjes. Ndërkohë që një makinë, e cila dyshohet se është përdorur nga autorët, është gjetur e djegur në aksin rrugor Lushnje-Berat.

Publikime te ngjashme