Shumica dërrmuese e anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kanë përkrahur anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Ata mbështetën raportin e Dora Bakoyannis, e cila tha se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale.
“Kosova shihet si demokraci funksionale, parlamentare me garanci të forta për pavarësinë e gjyqësorit dhe të drejta themelore të njeriut të përligjura në Kushtetutë. Zgjerimi i juridiksionit të Gjykatës Europiane drejt Kosovës do të kontribuonte në masë të konsiderueshme për respektimin e të drejtave të njeriut.”
Bakoyannis i ka bërë thirrje Këshillit të Ministrave të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
Për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ajo ka thënë se duhet trajtuar në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që e udhëheqë BE-ja.
“E shoh themelimin e Asociacionit si çështje e njëanshme, vendore e Kosovës që ndikon vetëm te qytetarët e Kosovës. Duke e pasur këtë parasysh kam bërë çdo përpjekje drejt materializimit të saj. Fatkeqësisht, kjo çështje nuk ka arritur të negociohet. Marrëveshja e fundit e Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë thotë se “çdo lloj negociate për themelimin e tij duhet të bëhet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.Si rezultat, Asociacioni, fatkeqësisht, është përtej mbulimit tonë, edhe nëse Komiteti i Ministrave inkurajohet fuqimisht që ta marrë parasysh këtë çështje.”
Për t’u miratuar raporti nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës duhet të sigurohet një shumicë prej dy të tretave të votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës përbëhet nga deputetët të cilët vijnë nga parlamentet nacionale të vendeve anëtare./TV Klan