Arrestimi i Vangjush Dakos, reagon Rama: Për herë të parë po goditen njerëz të lidhur me pushtetin

1 minute, 21 seconds Read

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas urdhër-arrestit të lëshuar nga SPAK për ish kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako i cili është vetëdorëzuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, pak minuta pas njoftimit nga Prokuroria. Ndonëse nuk iu referua me emër arrestimit të Dakos, Rama tha se për herë të parë po goditen njerëz të lidhur me pushtetin.

“Kemi hyrë në fazë të re. Duhet bërë durim edhe në luftën kundër korrupsionit. Për herë të parë në historinë e popullit tonë po goditen njerëz të lidhur me pushtetin. Kjo të bën të ndihesh jo mirë, pasi deri dje ka qenë në krahun tënd dhe sot është përballë avokatit. Me siguri diçka ka ndodhur. Forca e pushtetit mund të përdoret dhe për gjërat që nuk shkojnë.
Asnjëherë nuk duhen lënë që situata të tilla fyese të lëndojnë krenarinë që je pjesë e kësaj partie që mund të mos zgjedhë shumë probleme, por ka arritur të kthejë Shqipërinë në një vend që shumë njerëz nga e gjithë bota duan të vijnë dhe ta vizitojnë.”, tha Rama.

Të paktën 10 urdhërarreste raportohet paraprakisht se janë lëshuar këtë të martë nga Prokuroria e Posaçme ndaj ish-zyrtarëve të Bashkisë së Durrësit përfshirë dhe Dakon. Dyshimet janë se urdhërarrestet vijnë pas të paktën 1 vit hetime nga ana e prokurorëve të SPAK, për legalizimin e një objekti që dyshohet të jetë bërë në mënyrë të jashtëligjshme.

Publikime te ngjashme