Arrestimi i kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi ka shkaktuar debate të ashpra në Kuvend si dhe akuza e kundërakuza ndërmjet pushtetit dhe opozitës.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se shefi i KEK-ut ndodhet në ndalje për 48 orë dhe sistemi i drejtësisë është që merret me të.
“Besojmë që të merrem me profesionalizëm e përpikëri…”, u shpreh Kurti, duke shtuar se pati gëzim opozitar për arrestimin e Krasniqit.
Ai tha se ka pasur në të kaluarën kryeshefa e keqpërdorime marramendëse në KEK por që asnjëherë nuk janë trajtuar nga Prokuroria.
“Prokuroria është shumë e zellshme në këtë rast ku fitimi i KEK-ut në vitin 2022 ishte 107 milionë euro. Udhëheqja e re e KEK-ut ka deponuar me dhjetëra fakte dëshmi materiale për keqpërdorime që i kanë gjetur.
Por zelli i Prokurorisë për të mu marr me keqpërdorimet e mëhershme ka qenë zero. Ndërkaq, zelli për tu marr me Krasniqin i cili bashkë me ekipin e vet e punëtorët ja solli KEK-ut 107 milionë euro ishte i madh…”, tha Kurti.
Shefi i ekzekutivit tha se ekziston një disponim negativ ndaj qeverisjes aktuale dhe ndaj pushtetit të dalë nga 14 shkurti.
E Kurti tërë këtë e lidhi edhe me figurën e prokurorit Blerim Isufaj.
“Kjo lidhet më shumë se me askënd tjetër me figurën e prokurorit Blerim Isufaj. Bëhet fjalë për një prokuror që është i mirënjohur në skenën tonë publike.
Që rastin e vrasjes së ish shefit të AKP-së, Dino Hasanaj e ka kategorizuar në vetëvrasje, ndërsa rastin e vetëvrasjes së ish drejtorit të informimit në kryeministri, Hamdi Sopës e shndërroi në vrasje.
Po bëhet fjalë për një prokuror që asnjë rast se ka të fituar në gjykatë dhe ky prokuror dëshiron të bëhet kryeprokuror…”, tha Kurti./Telegrafi