Si ia ndaloi gjyqtari i Speciales prokurorisë të bëjë pyetje për incidente jashtë periudhës së aktakuzës?

1 minute, 39 seconds Read

Procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Hagës është intensifikuar. Dëshmitari i dytë tashmë është afër fundit të dëshmisë së tij, përderisa java tjetër nuk është planifikuar për ndonjë seancë.

Megjithatë, një vendim tejet i rëndësishëm por që u diskutua pak, ndërlidhet me pyetjet që Prokuroria po ua bën dëshmitarëve.

Mbrojtja e Rexhep Selimit kishte dorëzuar një mocion me të cilin kërkonte që t’i ndalohej prokurorëve të drejtojnë pyetje për incidente të ndryshme në Kosovë, por që nuk ndërlidhen aspak me periudhën për të cilën akuzohen krerët e UÇK-së.

“Mbrojtja e Selimit ka paraqitur mocion dhe kundërshton dëshminë e dëshmitarit për dy incidente të pretenduara që kanë ndodhur jashtë periudhës kohore të aktakuzës”, kishte thënë fillimisht gjykatësi Charles Smith.

E më pas ky mocion u miratua, dhe prokurorisë iu vë ndalesë që të bëj pyetje të cilat nuk përkojnë me aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

“Ky informacion i dhënë është i paverifikueshëm. Trupi gjykues miraton mocionin e mbrojtjes së Selimit. Nuk lejohet ZPS-ja të bëjë pyetje për incidentet e përshkruara në paragrafet 3.16.23 të materialit. Sa i takon dëshmisë së dëshmitarit, duhet redaktuar referencat lidhur me këto sulme nga çdo material që synojnë të paraqesin si prova. Së fundmi, palët duhet t’i dorëzojnë versionet e redaktuara deri të hënën”, tha Smith.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi akuzohen për vepra të ndryshme penale të cilat janë kryer ndërmjet marsit 1998 deri më shtator 1999. Pavarësisht se pjesa më e madhe e seancave ishin private, nga ky mocion u la të kuptohet se prokuroria ka tentuar të pyes dëshmitarët edhe për incidente që nuk ndërlidhen fare me periudhën e aktakuzës.

Publikime te ngjashme