Arabia Saudite mikpritëse e Samitit të Paqes të organizuar nga Ukraina – nuk ftohet Rusia

1 minute, 25 seconds Read

Arabia Saudite do të presë një samit të paqes të organizuar nga ukrainasit në fillim të muajit gusht, kanë thënë zyrtarët ukrainas.

Konfirmimi vjen pasi Wall Street Journal raportoi se do të organizohet një samit dy-ditor, citon skynews.

Bisedimet do të përfshijnë Ukrainën, vendet perëndimore dhe vendet kryesore në zhvillim, duke përfshirë Indinë dhe Brazilin – por Rusia nuk do të jetë pjesëmarrëse, transmeton Telegrafi.

Kreu i zyrës presidenciale të Ukrainës, Andriy Yermak, gjithashtu lëshoi një deklaratë, duke konfirmuar se bisedimet do të mbahen në Arabinë Saudite, por nuk përmendi se takimi do të zhvillohet në Jeddah.

Ndërsa Yermak nuk dha data specifike për samitin, gazeta amerikane raportoi se takimi do të zhvillohet më 5-6 gusht në qytetin arab, Jeddah.

Yermak tha se “çdo pikë e Formulës së Paqes do të diskutohet në një format individual dhe grupor me përfaqësues të më shumë se 50 vendeve të botës pothuajse çdo javë”, duke iu referuar planit 10 pikësh të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyt, të cilin e paraqiti vitin e kaluar para liderëve botërorë në Samitin e G-20 në Bali, Indonezi.

Hapat përfshijnë një rrugë drejt sigurisë bërthamore, sigurinë ushqimore, një gjykatë speciale për krimet e dyshuara të luftës dhe një traktat përfundimtar paqeje me Moskën.

Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin pretendoi se Moska nuk i ka refuzuar kurrë negociatat e paqes me Ukrainën.

Ndryshe, për të filluar procesi i përfundimit të luftës, nevojitet një marrëveshje nga të dyja palët, por është e vështirë të arrihet derisa Rusia po vazhdon sulmet ndaj Ukrainës./Telegrafi

Publikime te ngjashme