Analisti Sllobodan nga Serbia përserit frazën e kriminelit Sllobodan Millosheviq: “Shqiptarët e kuptojnë vetëm gjuhën e dhunës”

2 minutes, 32 seconds Read

Brukseli pret që zgjedhjet e reja në komunat në veri të Kosovës të mbahen në muajt e ardhshëm dhe që serbët të marrin pjesë në to pa asnjë kusht. Nga ana tjetër Sllobodan Zeçeviq nga Instituti serb për Studime Evropiane, i emëruar nga Vuçiqi, ka thënë se “kusht themelor” është tërheqja e forcave speciale të Policisë nga veriu.

Edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, duke folur për zgjedhjet e reja në katër komuna në veri të Kosovës, ka thënë kohë më parë se Kosova “duhet të bëjë disa lëshime” në mënyrë që serbët të marrin pjesë në to. Ai ka thënë se “Asociacioni i komunave me shumicë serbe ende nuk është formuar dhe se forcat speciale të Kosovës dhe kryetarët shqiptarë ende nuk janë tërhequr”, transmeton Paparaci.

Zeçeviq pretendon se tërheqja e forcave speciale policore do të ishte një gjë e mirë sepse ato janë “katastrofë” për paqen dhe stabilitetin në veri të Kosovës dhe sepse para së gjithash “do të zvogëlonte tensionet dhe keqtrajtimin e njerëzve në veri”.

“Zgjedhjet në veri janë kyçe dhe është shumë e rëndësishme që ato të mbahen sa më shpejt. Komunat në veri me kryetarë shqiptarë nuk kanë legjitimitet në popull. Zgjedhjet e reja janë të nevojshme sepse me to krijohen kushtet për formimin e Asociacionit. Formimi i Asociacionit është një propozim “normal si kusht për zgjedhje”, por problemi është se Kosova nuk dëshiron ta formojë atë dhe mbetet pyetja se kush do ta formojë atë, cilët delegatë, a do të jenë përfaqësuesit e vjetër të pushtetit lokal? Nëse do të krijohej Asociacioni tani, shqiptarët do të thoshin: ne kemi pushtetin në këto komuna. Prandaj është e vështirë të thuhet nëse është e mundur që Asociacioni të formohet para zgjedhjeve dhe nëse shqiptarët do të pajtoheshin me këtë, por tërheqja e forcave speciale është reale”, pretendon Zeçeviq.

Mirëpo, sipas tij, “është e vështirë të thuhet se si do të pozicionohen ndërmjetësuesit ndërkombëtarë në tërë këtë histori dhe cili do të jetë pozicioni i tyre përfundimtar”, sepse, sipas fjalëve të tij, “janë duke u lëkundur qëndrimet e tyre – herë kërcënojnë me sanksione, herë i përkrahin shqiptarët, përcjell Pararaci.

“Mendoj se me shtrëngimin e sanksioneve rreth Kurtit do të mund të bënin shumë, por nuk e dimë nëse do ta zhvillojnë këtë deri në fund. Me qëndrimin që një ditë e kërcënojnë Kosovën me sanksione, ndërsa ditën e dytë të shprehin mirëkuptim për ta, ndërmjetësuesit nuk do të arrijnë shumë”.

“Shqiptarët e kuptojnë vetëm gjuhën e dhunës”, e përsërit Zeçeviq frazën e kriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviq.

Publikime te ngjashme