BE: Veprimi i Qeverisë së Kosovës nuk ka qenë i koordinuar me ne

2 minutes, 23 seconds Read

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë deklaron se vendimi i ekzekutivit kosovar për shpalljen e dy organizatave terroriste në veri nuk ka qenë i koordinuar me ta, ndonëse, dje ministri Xhelal Sveçla, tha se për këtë janë koordinuar me aleatët. Kur u pyet se për cilët partnerë bëhet fjalë Sveçla përmendi edhe BE-në.

“Veprimi i Qeverisë së Kosovës nuk ka qenë i koordinuar me BE-në në Kosovë”, citon Kallxo.com t’i ketë konfirmuar zyra e BE-së në Kosovë.

Përveç BE-së, sot gjatë ditës edhe Departamenti Amerikan i Shtetit tha se Qeveria e Kosovës nuk u koordinua me SHBA’më për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës e Veriut” organizata terroriste.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës. Ne sërish i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për të zgjidhur krizën aktuale”, tha një zëdhënës i DASH.

Pos SHBA’së e BE’së, edhe Zyra për shtyp e Ambasadës gjermane në Prishtinë, ka njoftuar se vendimi i djeshëm i Qeverisë Kurti është marrë pa koordinim me Gjermaninë.

“Vendimi nuk është koordinuar as me Gjermaninë, madje as nuk është informuar qeveria gjermane nga autoritetet kosovare për këtë veprim paraprakisht”, ka thënë Ambasada gjermane.

Qeveria e Kosovës gjatë ditës së djeshme i ka shpallur organizata terroriste dy formacionet ilegale, “Mbrojtja Civile” dhe Brigada e Veriut”.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë, ndërkaq menjëherë pas përfundimit të mbledhjes, Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla doli në një konferencë për media për të dhënë më shumë detaje.

Sveçla tha se vendimi për shpalljen terroriste të organizatave “Mbrojtja Civile” (Civilna Zastita) dhe “Brigada e Veriut” (Severna Brigada), do të hyjë në fuqi menjëherë.

Ndonëse fillimisht nuk e potencoi vetë, i pyetur nga mediat se a kishte Qeveria e Kosovës koordinim me aleatët për ndërmarrjen e këtij vendimi, Sveçla me bindje tha se kanë qenë të koordinuar në këtë hap.

“Ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë, disa herë pajtohemi disa herë nuk pajtohemi. Patjetër që për ketë hap ne jemi koordinuar”, tha ai gjatë një konference për media pas vendimit.

Publikime te ngjashme