Abdixhiku godet qeverinë për krizën në Prishtinë: Kryeqyteti po mbahet peng për inate politike

1 minute, 59 seconds Read

Që nga dita e djeshme, Transporti Publik dhe disa kompani të transportit privat kanë pezulluar qarkullimin e tyre. Arsyeja lidhet me krizën financiare dhe mos-alokimin me kohë të buxhetit, duke krijuar vështirësi serioze për qytetarët e Prishtinës, të cilët në përditshmëri mbështeten tek ky shërbim.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj situatës, duke theksuar se “kur bllokada 10-mujore e shtetit mori fund, vendosën ta bllokojnë Prishtinën”. Ai paralajmëroi se kjo bllokadë rrezikon funksionimin e shkollave, qendrave mjekësore dhe shërbimeve themelore për qytetarët.

“Nuk dinë më shumë”, tha ai, duke akuzuar pushtetin aktual se jeton dhe ushqehet me bllokadë. Abdixhiku theksoi se situata e krijuar ka lënë kryeqytetin pa transport publik, punëtorët pa paga, qytetarët në pritje të gjata dhe vendin në një gjendje të tensionuar, për shkak të një pushteti që, sipas tij, ushtron hakmarrje politike ndaj Prishtinës. Sipas tij, kjo është vetëm faza e parë e një krize që pritet të thellohet.

Ai u shpreh se “popullistët” nuk duan të pranojnë se bllokimi i buxhetit të Kryeqytetit nuk e godet LDK-në, por qytetarët. Sipas tij, pengesat burokratike janë vetëm arsyetime, ndërsa rrënja e problemit qëndron te mungesa e vullnetit politik dhe tek arroganca e pushtetit.

Abdixhiku theksoi se Prishtina nuk kërkon para nga Qeveria, por fondet që i takojnë vetë Kryeqytetit. Ai pretendon se 35 milionë euro nga taksat komunale dhe grantet janë bllokuar për hakmarrje politike, duke e quajtur këtë veprim “pengmarrjen më të rëndë ndaj kryeqytetit”.

Sipas tij, justifikimet për mungesë votash në Kuvend janë mashtrim politik, duke kujtuar se Qeveria kishte ndarë 100 euro për studentët pa asnjë votim parlamentar. Në këtë logjikë, thotë ai, nuk ka arsye që Prishtinës t’i bllokohen fondet e mbledhura nga vetë qyteti. Ai shkon më tej, duke thënë se pushteti aktual ka humbur kontaktin me qytetarët dhe me detyrimin bazë për t’u shërbyer atyre.

“Prishtina nuk mbahet peng. As sot, as nesër”, përfundoi Abdixhiku, duke paralajmëruar se qyteti do të reagojë sërish ndaj kësaj situate, për të mos lejuar, siç tha ai, “lëvizjet e fundit të një pushteti në rënie”./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme