“A je farë burri, a ki farë turri”, komunikimi i ngrohtë mes Nagip Krasniqit dhe kryetarit aktual të Prizrenit Shaqir Totaj!

3 minutes, 37 seconds Read

Një kryetar komune dhe një drejtor i ndërmarrjes shtetërore mund të jenë dy figura publike që duket se kanë shumë pak të përbashkëta, por një histori e vjetër e bisedës së tyre në Facebook nxjerr në pah një mesazh të rëndësishëm e që është afërsia mes njëri-tjetrit.

Para rreth 14 vitesh, Shaqir Totaj, kryetar i Prizrenit dhe Nagip Krasniqi, ish-kryeshef i pezulluar në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), komunikonin me njëri-tjetrin në Facebook. Kjo ishte një kohë kur Facebook ishte më pak i përdorur nga politikanët, raporton Paparaci.

Megjithatë, kjo bisedë vërtetoi se kjo platformë mund të ishte e rëndësishme për të dy ata, që atë kohë mbase nuk ishin të njohur sa sot në publik. Por, biseda e tyre ishte më shumë se një thjeshtë komunikim zyrtar. Ishte Totaj i cili më 1 shtator të vitit 2009 vendosi t’i shkruante Krasniqit.

Ai atë ditë e përshëndeti ngrohtësisht Krasniqin dhe kishte arsye për këtë. Krasniqi ishte punësuar në bankën “TEB”. Totaj i cili vetë kishte punuar në këtë institucion bankar e kishte “ngushtuar” pak Krasniqin. E pyeti se a e pranon urimin në ‘FB’ apo duhet të shiheshin live për këtë gjë.

Në mes të qeshurave dhe përgëzimeve, i pari i Prizrenit i thotë Krasniqit se në punën e njëjtë si të atij, e ka një shok të tij me emrin Ruzhdi Zeqiri. Në fund, i thotë se do të jenë në kontakt dhe e përshëndet “përzemërsisht”.

Fjalëve “Nagip he djali i ri”, Krasniqi i përgjigjet Totajt duke e cilësuar si “aga Shaqë”. Nuk ankohet për kushtet, pasi thotë se janë “super”, përcjell Paparaci.

Krasniqi e pranoi urimin e Totajt duke e falënderuar dhe thënë se kur të takohen fizikisht, kompletohet gjithçka.

“Po, jam njoftu me Ruzhdin bile sot dolëm për kah një kafe bashkë. Tung tung…”, ia kthen Krasniqi, teksa ia përcjell disa fjalë edhe në gjuhën angleze.

Pas komunikimit të tyre goxha të kamotshëm në Facebook, tani gjërat kanë ndryshuar për të dy dhe kanë marrë kahje të ndryshme profesionale apo private.

Shaqir Totaj, i cili për 20 vite mbajti pozita të larta në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), tash është kryetar i Komunës së Prizrenit. Ai këtë pozitë e mori në zgjedhjet e fundit lokale, kur garoi nën ombrellën e PDK-së. Në partinë e Memlit Krasniqit, ai figuron edhe si anëtar i Këshillit Drejtues.

Nga ana tjetër, Nagip Krasniqi ishte emëruar drejtor i KEK-ut, në kohën e Qeverisë Kurti 2, më 4 tetor 2021. Ai u arrestua më 19 prill Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës, ushtrimit të ndikimit dhe konflikit të interesit.

Një njësi e veçantë e hetimeve ia bastisi atij zyrën dhe dy banesa në Prishtinë. Krasniqi ndonëse e kishte mohuar se kishte qenë anëtar i LVV-së, nga partia në pushtet nuk e thonë një gjë të tillë. Përmes fotografive që janë publike në rrjete sociale, Krasniqi ishte parë në disa takime me drejtues të lartë të LVV-së.

“Sot, nënkryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Besnik Bislimi, drejtuesi i Komitetit për Energji, z. Nagip Krasniqi dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, z. Kreshnik Ahmeti pritën në takim një delegacion të nivelit të lartë nga Millennium Challenge Corporation (MÇ), të kryesuar nga drejtorja menaxhuese e MCC për Evropë, Azi, Pacifik dhe Amerikë Latine, znj. Caroline T. Nguyen”, thuhet në një komunikatë të LVV-së, që ishte publikuar me 30 tetor të vitit 2019.

Mes tjerash, Krasniqi kishte qenë drejtues i Komitetit për Energji në LVV. Po ashtu, ai kishte punuar në KEK edhe në vitet 2006-2008 për rreth një vit e gjysmë.

Ai ishte përfshirë në një skandal financiar, për çka Paparaci kishte raportuar në vazhdimësi. Krasniqi, kishte bërë udhëtime me tregtarë të energjisë. Kishte zhvilluar edhe takime me ambasadorin Martin Berishaj në Zagreb. Sot ai ndodhet në paraburgim, si i dyshuar për shpërdorim të detyrës zyrtare. /Paparaci.com

Publikime te ngjashme