27 vjet nga kthesa historike: dita kur NATO ndërhynë për të shpëtuar Kosovën nga gjenocidi

2 minutes, 8 seconds Read

Sot shënohet përvjetori i 27-të i fillimit të fushatës ajrore të NATO-s kundër objektivave ushtarake dhe policore të Serbisë, një operacion ky që synonte ndaljen e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Kjo ndërhyrje nisi më 24 mars 1999 dhe u shtri në një hark kohor prej 78 ditësh, pasi përpjekjet diplomatike ndërkombëtare për të bindur Sllobodan Millosheviqin për paqe dështuan përfundimisht.

e designplus-ks.com
Smart Watches
Buy Now
Headphones
Buy Now

“Nëse Presidenti Millosheviq refuzon paqen, ne jemi të vendosur të paralizojmë makinerinë e tij të luftës kundër popullatës civile në Kosovë”, pati deklaruar asokohe presidenti amerikan, Bill Clinton.

Urdhri për nisjen e sulmeve ajrore u dha zyrtarisht nga Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Javier Solana, duke hapur një kapitull të ri në historinë e rajonit.

Kjo fushatë ushtarake shënoi rastin e parë në histori që NATO përdori forcën pa një miratim paraprak nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Në operacion u angazhuan rreth 1.000 fluturake që operonin nga bazat në Itali e Gjermani, si dhe nga aeroplanmbajtësja prestigjioze USS Theodore Roosevelt në Adriatik.

Përgjatë kësaj kohe u kryen mbi 38.000 fluturime, ku mbi 10 mijë ishin goditëse, pa shënuar asnjë humbje jete në radhët e forcave aleate.

Goditjet dërrmuese shkatërruan kazerma, njësi ushtarake dhe infrastrukturë strategjike në Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë, duke dëmtuar rëndë sistemet e komunikimit dhe energjisë.

Në fund të kësaj beteje ajrore, Clinton njoftoi se kushtet e botës demokratike u plotësuan: tërheqja e forcave serbe, vendosja e trupave ndërkombëtare dhe kthimi i refugjatëve.

“Sot mund t’i konfirmoj popullit amerikan se kemi arritur fitoren për sigurinë globale, vlerat tona dhe një Amerikë më të fuqishme”.

Sulmet pushuan vetëm një ditë pasi u nënshkrua Marrëveshja Teknike e Kumanovës mes palëve ndërluftuese.

Përmes këtij dokumenti historik, ushtria jugosllave u detyrua të braktiste Kosovën, duke i lënë vendin misionit paqeruajtës të udhëhequr nga NATO.

Beogradi zyrtar pati vetëm 11 ditë afat për t’i larguar rreth 40.000 pjesëtarë të forcave të tij të sigurisë nga territori kosovar.

Misioni i KFOR-it nisi dislokimin më 12 qershor 1999 me 50.000 trupa, shifër kjo që sot është reduktuar në 4.767 pjesëtarë nga 33 vende të ndryshme.

Epilogu i kësaj lufte la pas rreth 13.000 të vrarë dhe mbi 1.600 të zhdukur, përveç dëmeve kolosale materiale dhe qindra mijëra personave të zhvendosur /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme