Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar prerazi se Ngushtica e Hormuzit duhet të zhbllokohet sa më parë dhe se aleatët po bashkërendojnë forcat për të përcaktuar strategjinë më efikase për këtë qëllim.
“Jam në komunikim intensiv me shumë aleatë. Padyshim, të gjithë pajtohemi se ngushtica duhet të rihapet”, pohoi ai gjatë një konference për media të mërkurën, ku u shoqërua nga ministri i Mbrojtjes i Norvegjisë, Tore O Sandvik, dhe ministri i Jashtëm, Espen Barth Eide, gjatë një vizite në stërvitjet ushtarake në veri.
Tutje, Rutte nënvizoi përkushtimin kolektiv të Aleancës Veriatlantike për të rikthyer kalimin e lirë dhe të sigurt në këtë arterie strategjike ujore, e cila mbetet jetike për tregun botëror.
“Ajo që mund të konfirmoj është se aleatët po bashkëpunojnë ngushtë, duke diskutuar metodat më të mira për realizimin e këtij objektivi; po punohet kolektivisht për të gjetur një rrugëdalje”, shtoi ai.
Kreu i NATO-s ripërsëriti gjithashtu qëndrimin se Iranit nuk guxon t’i lejohet zhvillimi i kapaciteteve bërthamore apo raketave balistike, duke theksuar se aleanca mbetet e vendosur që këto kërcënime të degradohen rrënjësisht.
Ngushtica e Hormuzit është shndërruar në epiqendër të shqetësimit global për energjinë që kur Garda Revolucionare e Iranit njoftoi mbylljen e saj, si akt hakmarrjeje ndaj sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael.
Para këtij eskalimi, përmes kësaj pike kalonin rreth 20 milionë fuçi naftë në ditë, ndërsa bllokada aktuale ka nxitur një rritje të menjëhershme të çmimeve në bursat ndërkombëtare.
Ndërkaq, presidenti amerikan, Donald Trump, pohoi të hënën se “shumë shtete” po përgatiten të mbështesin SHBA-në në operacionin për rihapjen e rrugës, ndonëse nuk i identifikoi ato për t’i mbrojtur nga ndonjë shënjestrim i mundshëm iranian.
Megjithatë, një bllok vendesh evropiane, përfshirë Gjermaninë, Italinë dhe Britaninë e Madhe, kanë refuzuar deri më tani kërkesën e Uashingtonit për dislokimin e forcave detare, duke bërë të qartë se nuk synojnë përfshirjen ushtarake në këtë konflikt me Teheranin /lajmishqip.net










