Me repertorin e saj të pasur, sidomos në vijën melodike të traditës opojane, Ymrija ka arritur të prezantojë dhe përjetësojë, vlerat e njëmendta të kulturës shqiptare…
Shkruan: Demir Reshiti
Këngëtarja dhe mësuesja e mirënjohur Ymrije Beqaj, sot e kremton ditëlindjen e saj të 71-të.
Ymrija, me origjinë nga fshati Bresanë i Opojës, është një artiste e merituar që ka pasuruar perlat e mirëfillta të këngës shqiptare. Me repertorin e saj të pasur, sidomos në vijën melodike të traditës opojane, ka arritur të prezantojë dhe përjetësojë, vlerat e njëmendta të kulturës shqiptare, të cilat ruhen edhe sot në fonotekën e Radio Televizionit të Kosovës.
E lindur në Prizren më 03.02.1955 Ymrija ishte fëmija i katërt me radhë i prindërve Xhevahire dhe Shyqri Beqaj. Shkollën fillore dhe Normalen i ka kryer në Prizren ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prizren e Gjilan.

Fotografi familjare
Ka punuar si mësuese në Vërmicë e Prizren dhe një kohë edhe si udhëheqëse e emisioneve në Radio Prizren. Në vitin 1982 është transferuar në Prishtinë ku ka punuar fillimisht si zëvendësuese nëpër disa shkolla, ndërsa nga viti 1987 e deri në pensionim (3 shkurt 2020) ka punuar mësuese në shkollën fillore “Dardania”.
Qysh si fëmijë ka pasur interesim për muzikën e sidomos për këngët popullore. Këtë e ka vërejtur babai i saj Shyqriu (tashmë i ndjerë) i cili e ka nxitur akoma më shumë që ta dojë këngën. Ymrijes i kujtohet se shpeshherë babai e përcillte duke kënduar me rrahje shuplakash…
Në shkollën fillore “Emin Duraku” talentin e saj për të kënduar e vëren mësuesja Vera Zivgareviq e cila e merr në korin e shkollës.

Ymrija normaliste
Pas shkollës fillore regjistrohet në shkollën normale “Dimitrije Tucoviq” ku për herë të parë, si nxënëse e vitit të parë, paraqitet si soliste. Vlen të përmendet se prezantimin e saj të parë ia ka bërë vëllai Faiku (tashmë i ndjerë) i cili në atë kohë ishte në vitin e pestë të Normales. Më pas angazhohet në SHKA “Emin Duraku” të Zhurit dhe Shoqërinë “Agimi” të Prizrenit.
Më vonë, nga kryetari i Ansamblit “Shota”, Sylejman Shala, merr ftesë që të kalojë atje si profesioniste (këngëtare e valltare).

Gjatë një paraqitjeje me SHKA “Emin Duraku” të Zhurit
Në vitin 1972 merr pjesë në festivalin “Kosovarja këndon” ku nga juria profesionale vlerësohet me vendin e dytë. Në vitin 1973 debuton në “Akordet e Kosovës” me këngën “Gocat e Kosovës” të kompozitorit Hysen Badivuku, ndërsa në vitin 1976 në po këtë festival me këngën “Dashuri dhe lot” të Kadri Hysniut.
Janë rreth 20 këngë nga repertori i saj të incizuara në produksionin e RTP-së si dhe një numër i konsideruar i tyre gjatë paraqitjeve me Shoqëritë amatore.
Ndër këngët më të dëgjuara të Ymrijes (që dëgjohen edhe sot), janë: “Vet më the të due” dhe “Ku ke Rushe”, ndërsa kënga më e dashur për të mbetët “Vajzë e vogël”!
Në këtë vegëz mund ta dëgjoni këngën “Vetë më the të due” e kënduar nga Ymrija para 48 vitesh! (1978) dhe edhe sot dëgjohet me endje: https://www.youtube.com/watch?v=HjBVEKE6A9o
Gjatë viteve 1971-1979 ishte pesë herë në Shqipëri si këngëtare, valltare, moderatore, qitëse (ishte pjesëtare e Shoqatës së Shenjëtarisë së Kosovës)!
Në vitin 1979, bashkë me dhjetë këngëtarë të RTP-së: Nexhmije Pagarusha, Liljana Çavolli, Shahindere Berlajolli, Sabri Fejzullahu, Bashkim Paquku, Shpresa Gashi… (Ymrija ishte më e reja) shkojnë në një turne njëmujor në Shqipëri ku prezantohen me disa koncerte.

Në Shqipëri me këngëtarët më eminentë të Kosovës (1979)
Ymrija edhe gjatë punës së saj si mësuese në Sh.F.M.U. “Dardania” në Prishtinë, ka edukuar e arsimuar disa breza të nxënësve të cilët krenohen që e kanë pasur mësuese!

Nxënësit e urojnë për ditëlindje dhe pensionim
Shumë mesazhe urimi e falënderimi janë nisur në adresë të Ymrijes me rastin e pensionimit nga ish nxënës, nxënës e kolegë të saj të punës të cilët e vlerësojnë lartë punën dhe angazhimin e Ymrijes në edukimin e nxënësve përgjatë karrierës së saj si mësuese. Ata e kanë quajtur “mësuese hyjneshë e dıjes dhe e bukurisë”, “mësuese e mirë inspiron shpresën, ndezë imagjinatën, dhe injekton dëshirën për të mësuar”, “mësuese më e mira në aspektin e kulturës, gjuhës, sjelljeve…”, etj.
Nuk kanë munguar as urimet e dashamirëve të këngës së saj të cilët e kanë vlerësuar si “artiste e merituar që ka pasuruar perlat e mirëfillta të këngës shqiptare”, “Yll i bukurisë e zë i bukur si i një puhie të ëmbël, i dalë nga shpirti”, “Mrekulli-ikonë e artit muzikor në terë shqiptarinë”, etj.
FOTOALBUM


