“Realisht”, tha Albin Kurti gjatë një tubimi zgjedhor në Therandë, “ne s’kemi nevojë as të premtojmë. Sepse ju po e jetoni trendin e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies”.
Slloganit burimisht agimbahtiresk “mos lësho pe” iu ndërrua origjina, duke u lidhur kësaj here me një grua të moshuar që ia thotë Albin Kurtit si idiomë pastërtisht shqiptare. Por, ndonëse Bahtiri e kishte “mos-lësho-penë” referuar Zajednicës – ndaj të cilës u-lëshua-pe në Bruksel/Ohër (shkurt 2023 / Neni 7 dhe 10) – në fjalët e Kurtit, “ka Asociacion”, tash kjo frazë po përdoret edhe për “mos-lëshim-pe” ndaj “begatisë”.
Në adresimet zgjedhore të Vetëvendosjes, “siguria dhe begatia” nuk jepen si synim apo gjë-në-bërje, por si gjë-e-arritur, ndaj së cilës nuk-duhet-lëshuar-pe. Kësaj “begatie” në kohën e tashme të vazhdueshme i thurri rimë edhe vetë Faton Peci, kryetari i deleguar i Albin Kurtit për Mitrovicën.
“Sofrat tona kanë bekim, falemnderit ty Albin”, tha Peci, duke ia njohur bekueshmërinë e sofrës së bukës në Kosovë, shefit të vet.
Çka të tjerët premtojnë, pretendon Albin Kurti, ai veçse e ka “arritur”. Pagat 50%? Kurti tha se “kjo veçse ka ndodhur, 47%”. Ndonëse shifrat e Agjencionit të Statistikave të Kosovës, që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, vlerësojnë se zhvleftësimi i parasë – inflacioni dhe gërryerja e fuqisë blerëse – i bën 100 eurot e vitit 2019 për rreth 35 euro më të vlefshme në mundësi dhe kapacitet blerjeje krahasuar me 100 euro të sotit. Përkatësisht, çka blen sot me 100 euro, para ardhjes së tij në qeveri është blerë me 65 euro.
Megjithatë, premtimet e rivalëve i quajti ekonomikisht të palogjikshme, pyeti “kush u ka dhënë ekonomi këtyre njerëzve” dhe u mahit se “ndoshta kanë ikur prej ore”.
Paga e 13-të në muajin e tretë
Një nga zotimet e para që do ta realizojë “me të krijuar qeverinë”, paragjykoi Albin Kurti, tha se do të jetë paga e 13-të për punëtorët e sektorit publik. Jo në fund të vitit e as në kohë pushimesh, por qysh në muajin e tretë.
“Do të vijë në fillim të vitit. Pas numrit 1 ose 2. Pra punëtorët që janë në sektorin publik, vitin e ardhshëm nuk numërojnë 1,2,3,4,5,6,7,8,9,10,11,12,13 por numërojnë 1,2,13. Ky do të jetë një ndër vendimet e para që do t’i marrim ne si qeveri”, tha Albin Kurti.
Xhamia e Ibrit
Në Mitrovicë, aty ku shkoi të përurojë urën e re mbi Ibër, si ungjill-të-sovranitetit, ai e nisi me një sulm ndaj kundërshtarëve politikë “për të cilët vendosin të tjerët”.
“Të dashur mitrovicas. Mitrovica s’është problem i Kosovës. Ish-qeveritë kanë qenë problemi i Mitrovicës. E tash ne e bëjmë Mitrovicën zgjidhje për Republikën e Kosovës”, tha Albin Kurti.
Premtim që e dha “enkas për Mitrovicën”, ai tha se do të jetë rindërtimi i Xhamisë së Ibrit, të djegur nga ushtria serbe në maj të 1999-ës. Prandaj, kërkoi ai, “fitoren duhet ta kemi edhe më të madhe se më 9 shkurt”.
Çmimet tavan
Nga vendimet e para që, sipas tij, do t’i merrte sapo të niste qeverisjen, do të ishte ligji për kontrollimin e çmimeve të gjësendeve ushqimore elementare, “që na e rrëzoi Gjykata Kushtetuese”.
Ndonëse GjK s’e ka rrëzuar, por ka konstatuar se ajo duhet të bëhet përmes një organi të pavarur, e jo nga kabineti qeveritar, Kurti tha se “kurrë nuk e harroj atë ditë”.
“Kurrë s’e harroj atë ditë, por duhet ta harroj atë ditë, por duhet të ecim përpara me çmime tavan, që shporta të jetë e kufizuar dhe e përballueshme, për klasën e mesme dhe të varfër”, tha ai.
“Prokurori të re të specializuar”
Nuk harroi as ta godasë sistemin prokurorial, duke premtuar “prokurori të re të specializuar” – temë kjo që e ka rrahur edhe gjatë fushatës së kaluar, pas refuzimit të tij për t’u paraqitur në prokurori për hetimet, tash edhe në aktakuzë, ndaj Rozeta Hajdarit.
“Përveç Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar, do të kemi edhe Prokurori të Re të Specializuar, sipas modeleve të shteteve evropiane që e kanë fituar betejën përkatëse”, tha Albin Kurti. /lajmishqip.net
