Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka mirëpritur vendimin e fundit të Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese ndaj vendit, duke i cilësuar ato si të padrejta që në zanafillë.
Në reagimin e tij, Kurti theksoi se Qeveria ka mbajtur vazhdimisht qëndrimin se sanksionimi i Kosovës ishte i paarsyeshëm, pasi erdhi si pasojë e tensioneve dhe përçarjeve të orkestruara nga Serbia.
Pavarësisht këtyre masave, kryeministri nënvizoi se Kosova gjatë gjithë kësaj periudhe ka mbetur e palëkundur në orientimin e saj evropian, duke përmbushur kriteret për anëtarësim dhe duke dëshmuar përkushtim ndaj vlerave demokratike.
“E mirëpresim vendimin e BE-së për të hequr masat ndaj Kosovës. Qeveria jonë ka pohuar vazhdimisht se këto masa ishin të padrejta që nga fillimi, pasi ato sanksionuan Kosovën për përçarjet e orkestruara nga Serbia – një agjendë që çoi gjithashtu në sulme të mëdha terroriste, përfshirë atë fatal në Banjskë dhe sulmin në Ibër-Lepenc që synonte infrastrukturën kritike. Gjatë gjithë kësaj kohe, ne kemi mbetur plotësisht të përkushtuar ndaj BE-së dhe kampionë të vlerave demokratike,” ka shkruar Kurti në platformën “X”. /lajmishqip.net
