Kosova pjesë e kornizës financiare të BE-së për periudhën 2028-2034

1 minute, 18 seconds Read

Kosova do të përfshihet në kornizën e ardhshme financiare të Bashkimit Evropian, krahas shteteve të tjera në procesin e zgjerimit, pavarësisht se ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat.

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka konfirmuar se mungesa e statusit formal nuk do ta pengojë Kosovën që të përfitojë nga fondet e parapara.

“Sa i përket Kosovës, ajo do të mbetet pjesë e këtyre instrumenteve financiare. Siç e dini, Kosova është tashmë pjesë edhe e Planit të Rritjes”, theksoi komisionerja, raporton lajmishqip.

Komisioni Evropian ka prezantuar të mërkurën kornizën shumëvjeçare financiare, dokumentin kyç buxhetor të bllokut, duke propozuar një buxhet prej 2 trilionë eurosh për periudhën 2028–2034.

“Zgjerimi nuk e bën Bashkimin Evropian vetëm më të madh gjeografikisht dhe demografikisht. Zgjerimi ka të bëjë me bashkimin e kontinentit. Duke rritur mbështetjen për të gjithë ata që i plotësojnë kushtet, jemi në rrugën e duhur për të bashkuar Evropën tonë”, u shpreh Kos.

Sipas RTK-së, nëse ndonjë shtet i ri anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2034, korniza aktuale shumëvjeçare financiare mund t’i nënshtrohet rishikimit dhe ndryshimeve përkatëse.

Aktualisht, Shqipëria dhe Mali i Zi vlerësohen si vendet më të avancuara në këtë proces dhe konsiderohen si anëtarët e ardhshëm potencialë të BE-së, me mundësi reale për ta përmbyllur procesin deri në fund të kësaj dekade, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme