Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se opozita po ia zgjat mandatin.
Pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Abdixhiku i cilësoi fjalët e Kurtit si të pabaza dhe pa logjikë.
“Mos i dëgjoni të gjithë njerëzit që flasin gjëra pa fije inteligjence, si të ja zgjasin mandatin zotëri Kurtit. Është jolegjitim, nuk ka mandat, e ka uzurpuar detyrën e kryeministrit dhe të deputetit në të njëjtën kohë. Nuk ka logjikë një gjë e tillë,” deklaroi Abdixhiku para mediave.
Ai theksoi urgjencën për formimin e institucioneve të reja.
Kjo ishte hera e tridhjeteshtatë që dështon konstituimi i legjislaturës së nëntë të Kuvendit. Seanca e ardhshme për të provuar sërish formimin e institucioneve është caktuar për ditën e premte, më 27 qershor, në ora 11:00, raporton lajmishqip.