Në kohën kur Kuvendi i Kosovës mbetet i pa konstituuar, debati politik është zhvendosur në rrjetet sociale, duke reflektuar tensionet aktuale. Një shkëmbim publik mes deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, dhe avokatit të njohur, Arianit Koci, ka tërhequr vëmendjen e publikut.
Deputeti Kërçeli iu drejtua në mënyrë ironike avokatit Koci përmes një postimi, duke thënë: “Arianit Koci, ku je? Shpresoj që nuk e ke lidhur vikendin. Po na mungon.”
Përgjigjja nga avokati Koci ishte e menjëhershme dhe me ton kritik, duke e cilësuar komentin si të papërshtatshëm në rrethanat aktuale. “Nuk po të ka hije të ironizosh. Sidomos ti, që nuk të konsideroj primitiv si disa kolegë tuajt. Shteti është në bllokadë dhe ekonomia është katastrofë,” ia ktheu Koci.
Ky shkëmbim pasqyron ngërçin e thellë politik në Kosovë, ku institucionet kyçe mbeten të bllokuara, ndërsa qytetarët presin zgjidhje konkrete dhe jo debate dytësore.