Arratisja e Grubit, kërkohet dorëheqja e Ministrit të Brendshëm

2 minutes, 45 seconds Read

Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi për të pestën ditë është i paqasshëm për organet e rendit dhe nga policia nuk ka detaje për rikthimin e tij në vend.

Policia e Kosovës para dy dite ka pranuar një fletarrest ndërkombëtar nga autoritetet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut lidhur me ish-zëvendëskryeministrin e këtij shteti, Artan Grubin. Gazeta Insajderi ka publikuar detaje ekskluzive se për çka organi akuzues në Maqedoni po e kërkon ish-funksionarin e BDI’së.

Ndërkaq, opozita i bëri thirrje ministrit të Brendshëm Pançe Toshkovski që të japë dorëheqje. LSDM-ja e akuzon Toshkovskin se polici të cilin ai e ka vendosur në pikën kufitare Bllacë e ka lejuar që Grubi të arratiset.

“Polici B.J të njëjtën ditë kur e ka lëshuar Grubin ka marrë pushim mjekësor.

Me këtë, de fakto ai nuk mund të pezullohet për aq kohë sa zgjat pushimi mjekësor. Pse gënjen Toshkovski se janë suspenduar kur kjo nuk është bërë? A dëshiron ta mbrojë, apo pret që e gjithë kjo situatë të përkeqësohet? Dhe pse nuk është ngritur kallëzim penal kundër policëve, por gjoja se suspendim kur bëhet fjalë për vepër penale për të cilën mund të ngrihet kallëzim penal? Më tej, deri kur Toshkovski do ta godasë samarin në kushte kur ai personalisht dhe i gjithë aksioni që ai ka udhëhequr është fshehur, apo siç dyshojmë është bërë qëllimisht në atë mënyrë që Grubi të lëshohet”, tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.

Nga ana tjetër, VMRO-ja akuzon se LSDM-ja ka qenë në dijeni për aktivitetet kriminale të Grubit në Lotarinë Shtetërore, por se nuk kanë reaguar që të mos bjerë qeveria.

“LSD janë fajtorë që Artan Grubi ka vite që e vjedh shtetin dhe ndikon në drejtësi. Bashkëpunëtor i tij në krim ka qenë Dimitar Kovaçevski, paraardhësi i Venko Filipçes. Edhe MPB-ja nën ombrellën e LSD-së e dinte për krimin e Grubit. Për vite me radhë nuk ka pasur asnjë reagim nga institucionet nën ombrellën e LSD-së, sepse kryesia e asaj partie ka dashur të qëndrojë në pushtet me çdo kusht. Edhe Venko Filipçe e dinte që Grubi ishte i korruptuar, por nuk ndërmori asnjë veprim.

VMRO-DPMNE ka vite që flet për krimin e Grubit, por LSD lejoi që ai të metastazojë në përmasa të papara”, deklaroi Mile Lefkov, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Artan Grubi kërkohet si i dyshuari i dytë për keqpërdorime mbi 8 milion euro në Lotarinë Shtetërore, ndërsa për të dhe për të dyshuarin e parë në këtë rast ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajrami, MPB-ja ka lëshuar fletarrest ndërkombëtar. Ndërkohë policia njoftoi edhe për masë disiplinore ndaj dy policëve për shkak të lëshimit gjatë kalimit të Grubit nga Maqedonia për në Kosovë përmes pikës kufitare Bllacë dhe se njëri prej këtyre personave është pezulluar nga puna deri në zbardhjen e plotë të rastit.

 

Publikime te ngjashme