Gjatë hapjes së samitit të Procesit të Berlinit të hënën, 14.10. në Berlin, kancelari gjerman, Olaf Scholz lavdëroi përparimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në bashkëpunimin rajonal. Ai vuri theks të veçantë në kontributin e Kosovës dhe e përgëzoi për arritjet e fundit në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).
“Dëshiroj të përgëzoj Kosovën për kontributin që ka dhënë së fundmi. Diplomacia e marrëveshjes së CEFTA-s është një arritje e madhe për bashkëpunimin rajonal”, theksoi Scholz.
Procesi i Berlinit, i cili u themelua dhjetë vite më parë, ka për qëllim mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimornë rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian dhe promovimin e iniciativave rajonale. Scholz theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për të përballuar sfidat ekonomike dhe sociale. Kancelari njoftoi nënshkrimin e dy dokumenteve të rëndësishme që do ta lehtësojnë jetën e njerëzve në rajon: “Ne do të nënshkruajmë dy dokumente që do ta lehtësojnë jetën e përditshme të njerëzve. Një plan të ri veprimi për tregun e përbashkët rajonal dhe një marrëveshje për aksesin në mundësitë e studimit, e cila do të zgjerojë mobilitetin e studentëve.”
Serbia dhe Kosova: Thirrje për normalizim dhe integrim evropian
Në fjalimin e tij, Scholz iu referua gjithashtu tensioneve të vazhdueshme midis Serbisë dhe Kosovës dhe u bëri thirrje të dy vendeve që të mos e shohin të kaluarën si një pengesë për të ardhmen evropiane. “Ne të gjithë e dimë se sa shumë rajoni juaj ende ndikohet nga konfliktet e së kaluarës”, tha ai. “Por tani është koha që sytë të drejtohen drejt të ardhmes. Ne kemi nevojë për një dinamikë të re dhe një proces normalizimi midis Serbisë dhe Kosovës.” Scholz theksoi se zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura më parë është çelësi për një integrim të suksesshëm në Evropë: “Unë mbetem i bindur se e ardhmja është në Bashkimin Evropian. Ekziston vetëm një rrugë që të çon atje, dhe kjo është zbatimi i plotë i marrëveshjeve që ju keni arritur tashmë.”
Në përfundim të fjalës së tij, kancelari theksoi rolin e Procesit të Berlinit si një platformë për zgjidhjen e konflikteve dypalëshe dhe lavdëroi angazhimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për paqen dhe bashkëpunimin: “Është një angazhim i qartë për të zgjidhur çështjet dypalëshe dhe për t’u pajtuar në mënyrë paqësore. Për këtë qëndron Procesi i Berlinit.” Scholz ritheksoi se do të vazhdojë të qëndrojë personalisht përkrah vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe do t’i mbështesë ato në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian./DW