Apeli i ul dënimin Komandant “Calit”

2 minutes, 13 seconds Read

Kolegji i Gjykatës së Apelit i ka caktuar 15 vjet burgim, duke llogaritur edhe kohën e kaluar në burg, për ish-pjesëtarin e UÇK-së, Salih Mustafën.

Mbi Komandant “Calin” rëndojnë akuzat se ka kryer krime lufte, paraburgim arbitrar, torturë dhe vrasje, shkruan Indeksonline.

Kolegji i Apelit nxori vendimin e ri në pajtim me rregullën 194(1)(b) të Rregullores.

Vendimi ka ndjekur udhëzimet e vendimit të Kolegjit të Gjykatës Supreme të datës 29 korrik 2024, lidhur me kërkesën e Mustafës për mbrojtjen e ligjshmërisë, me të cilën u anulua dënimi paraprak prej 22 vjet burgim.

Historia e rastit:

Salih Mustafa u arrestua dhe u transferua në Njësinë e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

Më 16 dhjetor 2022, Trupi Gjykues shpalli aktgjykimin e tij, duke e shpallur Mustafën fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes dhe duke e dënuar me 26 vjet burg. Gjatë shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues ka theksuar se akuzat në këtë rast kanë të bëjnë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të z. Mustafa. Duke vënë në dukje se viktimat në këtë rast ishin shqiptarë të Kosovës, Trupi Gjykues theksoi më tej se, “përpjekjet e tyre për të kërkuar drejtësi dhe të vërtetën qëndrojnë në qendër të këtyre procedurave”.

Më 6 prill 2023, Trupi Gjykues urdhëroi një shumë të përgjithshme prej 207,000 € si dëmshpërblim për 8 viktimat pjesëmarrëse në këtë rast. Z. Mustafa apeloi aktgjykimin dhe dënimin e shqiptuar nga Trupi Gjykues.

Më 14 dhjetor 2023, Kolegji i Gjykatës së Apelit hodhi poshtë kundërshtimet e z. Mustafa ndaj Aktgjykimit Gjyqësor, duke pranuar pjesërisht kundërshtimin e tij ndaj dënimit. Rrjedhimisht, Kolegji i Apelit ia zvogëloi dënimin e përgjithshëm të vetëm z. Mustafa nga 26 vjet në 22 vjet burgim.

Z. Mustafa e kundërshtoi aktgjykimin e Dhomës së Apelit në një kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë para Kolegjit të Gjykatës Supreme.

Më 29 korrik 2024, Kolegji i Gjykatës Supreme e pranoi kërkesën e tij, pjesërisht dhe e anuloi aktgjykimin e ankesës për aq sa kishte të bënte me dënimin e z. Mustafa me 22 vjet burgim. Kolegji i Gjykatës Supreme ia ktheu atë Kolegjit të Apelit në përputhje me Rregullin 194(1)(b) të Rregullores për të shqyrtuar zvogëlimin e dënimit të tij në dritën e arsyetimit të paraqitur në vendimin e Kolegjit të Gjykatës Supreme.

Publikime te ngjashme