“Gëzimin për ikjen e terrorit bashkë me ushtrinë e policinë serbe e zbehin njoftimet për zbulim varresh masive në çdo anë të Kosovës. Zbulohen pamje tmerruese. Ato dominojnë ekranet televizive, sikundër edhe pamjet e paimagjinueshme të kthimit me fytyra të qeshura të atyre që ishin larguar para tre muajsh me lot në sy”, shkruante gazetari Zenun Çelaj në ditarin e luftës më 16 qershor të vitit 1999.
E mërkurë, 9 qershor
Ende nuk janë marrë vesh as gjeneralët, as politikanët për të përfunduar tragjedinë kosovare. G-8-a është marrë vesh për tekstin e rezolutës mbi Kosovën, Këshilli i Sigurimit e ka diskutuar, por s’ka marrë vendim. Rusia e Kina kushtëzojnë miratimin me ndërprerjen e bombardimeve të NATO-s, të cilat ende vazhdojnë. E çuditshme, këto dy vende fare nuk i përmendin masakrat e terrorin serb, që ushtron mbi shqiptarët, si një kusht.
Qosja ishte i mrekullueshëm në paraqitjen e tij në TVSH – në emisionin “Dritarja”. Asnjë fjalë që do të mund të nxiste përçarje, përkundrazi. E kurseu edhe Rugovën, që nuk e kishte zakon përpara.
Ende është mëngjes dhe s’di çfarë do të sjellë dita. Një radiostacion në gjuhën serbe, të cilin kurrë s’e kisha dëgjuar më parë, ftoi serbët të tuboheshin në Qendrën “Boro e Ramizi” për të vendosur për ikje a mbetje në Kosovë. Tani ata s’kanë kë ta shantazhojnë. Vetë tash janë të pafuqi.
E gjithë dita kaloi në pritje të nënshkrimit të Marrëveshjes teknike ushtarake ndërmjet ushtarakëve të NATO-s dhe atyre jugosllavë. Në orën dhjetë të mbrëmjes, Radio Evropa e Lirë njoftonte lajmin që kishim pritur kaq kohë e me ethe: ”Marrëveshja u nënshkrua”.
Me Qazën, Fadilin, nipat e Qazës – Metin e Cetin e plagosur, me të cilët mashtronim kohën duke luajtur letra, u përqafëm dhe uruam fundin e ferrit. Por, në të njëjtën kohë nga të gjitha dritaret e pallateve përreth, rrokaqiejt, shpërthyen të shtëna armësh, sa kujtuam se po kallej e tërë Prishtina. Që më parë kishim shfaqur frikë se në një fund të tillë me disfatë të serbëve, ata mund të ushtronin hakmarrje mbi ne, që kishim mbetur. U shtrimë nëpër dysheme, të mos na gjejë ndonjë plumb i drejtuar me qëllim ose rastësisht. Zbrita një kat më poshtë, në banesën e vëllait, ku jam tash tre muaj, dhe vazhdova të qëndroj i shtrirë në dysheme me dhëndrin, mbesën dhe fëmijët e tyre. Nxora revolen e vëllait, që e kishte fshehur qysh kur ishte në Prishtinë, në rast nevoje së paku ta shpaguaj veten.
Pas pak hyn në dhomë Kërxhiqi, mjeku malazias, fqinj me banesën e vëllait ku isha prej gati tre muajsh. Më drejtohet me lutje:
Zenun, jam në dorën tënde! Më shpëto!
Nuk e dija pse e kërkonte ndihmën. Ne kujtuam se tani ushtria, paramilitarët e policia serbe po nisnin masakrën ndaj civilëve shqiptarë, në shenjë hakmarrjeje se duhej të braktisnin Kosovën, dhe kjo na shqetësonte.
E pyeta se pse i duhej ndihma.
Ka hyrë në Prishtinë UÇK-ja, – tha. Unë e di se e ke djalin me ta dhe se është me pozitë. Më ndihmo! – vazhdoi i shqetësuar.
Unë deri atëherë vazhdimisht i thosha “Shyqyr djalin me gruan e fëmijët i largova nga Prishtina në Strugë dhe ata janë të sigurt, kurse unë i qetë”. Ai në fakt e kishte ditur ku ishte Liraku, por ishte bërë sikur nuk e dinte.
I premtova se do ta mbroj, dhe njëmend do ta mbroja. Por ai iku me kolonën e serbëve e malazezëve të tjerë i patrazuar nga shqiptarët. I mbronte dhe KFOR-i.
E enjte, 10 qershor
Çfarë koincidence?! Sot është përvjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Jemi zgjuar 121 vjet më pas me marrëveshjen shpresë se aspiratat e saj janë më afër realizimit, ndonëse vandalët serbë e kanë hequr me rrënjë ndërtesën ku kishte ndodhur ngjarja në atë kohë. Cinike dhe fyese: në truallin e ndërtesës kanë mbjellë lule. Kishin kujtuar se kështu do të fshinin përgjithmonë kujtesën historike të shqiptarëve.
S’di si ta shënoj këtë ditë kaq të gëzueshme, në mëngjesin e të cilës më gërshetohen kujtimet për njerëzit të cilët ndoshta nuk do t’i shoh kurrë më, sepse i ka gëlltitur çmenduria serbe. Tash sa muaj nuk di gjë për motrën Zylfije nga Kosuriqi i Pejës, as për dy nipat me familjet – Ganiun e Hamdiun; s’di as për shokun e mikun, Ramë Morina nga Klina, që e kanë ndarë forcërisht nga gruaja qysh më 28 mars; nuk do ta shoh kurrë më Beqir Prelvukajn, dhëndrin nga Vitomirica, që e kanë vrarë bashkë me të vëllain, ndoshta edhe të mbesën; s’di as për nipat e gruas, Agim Efendinë dhe Shkelzen Binishin, të cilëve u ka humbur çdo gjurmë që nga fillimi i bombardimeve. Ka pesë muaj që nuk e kam parë as Lirakun, i cili këtë dimër e kaloi me armë në dorë në malësitë e Llapit, dhe nuk di nëse është dobësuar nga shëndeti, apo mund të jetë edhe i plagosur, por kanë fshehur prej meje. Nuk di gjë as për një pjesë të kolegëve gazetarë dhe ata të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Sot shkrova më me guxim. Gjatë gjithë kohës kam pasur kujdes të mos shënoj ngjarje a të përmendi emra që mund të shkaktonin pasoja për mua a të tjerët nëse më kapin dhe ma zënë ditarin. Fundja edhe ashtu nuk kisha gjera të rrezikshme të shënoja.
Me Lirakun fola dhe ai me tallje, kur i tregova se po shpërnguleshin oficerët prapa banesës së Sadikut, më tha që t’ia ruaja një banesë: “Edhe unë tash jam ushtar… Ndeze bojlerin, më në fund të lahem me ujë të ngrohtë…”
Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën për Kosovën 1244. Vetëm Kina abstenoi.
Tani jam bërë aq trim sa edhe “Zërit të Amerikës” i dhashë intervistë. Sa mbaj mend, Nehat Islami ishte i fundit që kishte folur për këtë radio nga Prishtina, më 27 mars, kurse unë do të jemi i pari që tani flas nga Prishtina.
E premte, 11 qershor
Edhe pse ende s’kanë arritur në Prishtinë, madje as në Kosovë nuk kanë hyrë ata që mund të na mbronin, më është hequr frika krejtësisht. Pas 78 ditësh vendosa të shkoj në Velani, të shoh nëse e kam shtëpinë në këmbë ose jo. Më është thënë nga të tjerë se e kanë parë me gjithë kulm, por s’dinin më shumë. Bashkë me mbesën Valdete, e cila kurrsesi s’deshi të më lë vetëm, u nisëm rreth orës dhjetë paradite. Depërtuam përmes soliterëve, afër mensës së studentëve, Bulevardit Ramiz Sadiku teposhtë, pastaj rrugës nga “Slloveniasporti” përpjetë drejt Përmendores, anës së Parkut të Qytetit dhe te rrugëkryqi i parë në Velani, në të majtë rruga e romëve plot gjallëri, në të djathtë shenja “Stop!” Në rrugëkryqin e tretë djathtas në mes të rrugës ishte një veturë e djegur, kurse majtas s’kishte ndonjë shenjë shkatërrimi. Shtëpitë e fqinjëve janë të mbyllura me dërrasa të gozhduara. Bari është rritur nëpër oborre. Askund njeri. As rrugës nuk pamë kënd, madje as policë. Një heshtje tmerruese. Përpiqem të hyj në shtëpi, por nuk mundem. Çelësi sillet, por dera nuk lëviz. Më poshtë shoh Sefedin Hoxhën, fqinjin. Më thotë se ai e kishte mbyllur derën me Kadrush Sylejmanin, por nuk i kujtohej nga kishte dalë. Mezi hyra në një pjesë. Rrëmujë kudo. Vetura s’ishte më. Nuk e di çfarë mungonte. Por, aty ishte shtëpia dhe librat, të cilat nuk do të mund të kompensoheshin. Edhe ashtu nuk kam pasur gjera të tjera të vlefshme.
Në mbrëmje, kur bisedova me Arianitin, më tha: “Ta paskan falë shtëpinë, a?!”.
Pas dite, rruga unazore, që kalon prapa banesës ku kisha kaluar gati tre muaj të bombardimeve, i ngjante një lumi karvanësh me kamionë, traktorë, vetura të mbushura me gra, fëmijë, pleq e plaka serbe, që po iknin nga vendi i krimit. Nuk e kam të qartë nëse iknin nga frika e hakmarrjes për mëkatet që kanë bërë kundër shqiptarëve, apo si viktima të një propagande të çmendur antishqiptare. M’i kujton pamjet biblike të kolonave me shqiptarë të dëbuar forcërisht, të plagosur në shpirt e në trup. Këta ecin të patrazuar, të shoqëruar nga njerëz të vet të armatosur. Pas gjysmës së natës iku edhe një serb nga hyrja ku banoj. Iku pa zhurmë. Para shumë vjetësh kishte ardhur nga Lika e Kroacisë.
E shtunë, 12 qershor
Të premten, pa paralajmërim, në Prishtinë kishin hyrë forcat ruse. Ata ishin pritur me brohoritje e me eufori nga serbët. Njoftohet po ashtu se sot në orën 5 e 35 minuta kufirin e Kosovës e kishin kaluar edhe forca angleze e franceze në kuadër të NATO-s. Shqetësim i përgjithshëm i qarqeve ndërkombëtare dhe element pasigurie për shqiptarët është hyrja pa leje e rusëve në Kosovë (rreth Aeroportit të Prishtinës, në Sllatinë).
Pas 80 ditësh mbylljeje dola në rrugën kryesore të Prishtinës. Fare pak fytyra të njohura. Ato duken të lodhura, të vyshkura. Takova Natasha Kandiqin, veprimtaren për të drejtat e njeriut, e cila edhe gjatë bombardimeve gjeti forcë të dënojë terrorin e masakrat serbe mbi shqiptarët. I urova për guximin njerëzor.
Me frikë shkova deri te Posta e vjetër dhe te Qafa. Me mua është Ibrahim Kadriu. Ai tashmë ishte mësuar me këto pamje. Shëtitëm nëpër Qafë. Çdo gjë ishte e thyer ose e praptuar. Karrige nëpër korridor, shishe të zbrazura, por askund njeri.
Gjatë gjithë ditës deri pas mesnate ka pasur të shtëna. Merret vesh se mbrëmë serbët kishin vrarë në shtëpi të vet Nazmi Gojanin, një këpucëtar dhe nacionalist i provuar. Vrasësit i kishin rënë ziles dhe kur ai kishte dalë ta hapte derën, ata i kishin vënë grykën e automatikut në fyt dhe e kishin futur në një dhomë. Aty e kishin vrarë atë e pastaj kishin plagosur djalin dhe gruan e tij si dhe djalin e stomatologut Rifat Ymeri, që ishte ndodhur aty.
E diel, 13 qershor
Nga ballkoni i banesës, prej nga çdo mëngjes gjatë ditëve të fundit matja barometrin e gjendjes sipas lëvizjeve të mundshme të forcave të instaluara serbe në bibliotekën e fëmijëve, në librari, nëpër shtëpitë shqiptare anës së rrugës, sot pashë ushtarët duke ngarkuar kamionët me sendet e tyre. Ushtarët u zhveshën dhe i pashë kur dolën me rroba civile.
Shkova për të ngushëlluar familjen Gojani. Por, askush nga rrethi më i ngushtë nuk ishte për të pritur ngushëllimet. Gruaja e djali janë të plagosur. Të bijat i ka jashtë. Vizitova edhe Zaim Kurtin. Nuk ishte i lumtur, siç janë zakonisht njerëzit kur dalin nga burgu. E kuptoj. Brenda i ka mbetur djali, Albini, dhe s’di ku mbahet. “Më thanë se të gjithë të burgosurit i kanë transferuar në Serbi” – thotë Zaimi si i humbur. Për Ukshin Hotin, edhe pas një muaji nga data kur është dashur të lirohej, nuk dihet gjë.
Sot shëtita me Qazën, përsëri vendet që i kisha parë një ditë më parë me Ibrahimin.
Përjetova edhe hyrjen e forcave të blinduara angleze – tanket, zhurma e të cilave më tingëllonte si një simfoni. Te Xhamia e Llapit qindra fëmijë e të rinj shqiptarë përshëndetnin ushtarët e NATO-s. Tanket e tyre i kishin mbuluar me lule e me flamuj shqiptarë. Janë pamje që të emocionojnë. Pleqtë anash qajnë. Askush nuk u hidhërohet vajzave që puthin miqësisht ushtarët e huaj. Bëjnë fotografi.
Kur nga qyteti në drejtim të Serbisë shohin automjete të ngarkuara, shenjë se ata janë serbë që po ikin, policë apo ushtarë të veshur civilë, shpërthejnë fishkëllima, sharje, brohoritje, uaa…uaa…!
E hënë, 14 qershor
Sot prapë shkova në shtëpi, në Velani. Rrugën deri atje, për herë të parë në këto dhjetë vjetët e fundit, e kalova pa frikë. Gjatë këtyre vjetëve kam përjetuar dy arrestime dhe mbajtje në burg, disa herë marrje në polici, një torturë të rëndë fizike, shumë herë biseda informative. Rrugës pashë ushtarë anglezë me gishtin në çark të automatikëve, që po “krihnin” rrugë e lagje. Pas takimit të parë me UÇK-në, ishte hera e parë që i doja uniformat. Tërë ditën punova në shtëpi. Aty prapë mund të jetohet. Më mungon vetëm vetura e Lirakut. Mua më ka shpëtuar mirë shtëpia, kur e krahasoj me atë që pashë në shtëpinë e Ibrahim Kadriut: një vandalizëm për model, sidomos në bibliotekë.
Hilmi Çuka, një fqinj, e kishte gjetur babën e vet të vdekur në bodrumin e shtëpisë. Nuk dinte gjë për të qysh atë natë kur nga lagjja na dëbuan forcërisht.
E martë, 15 qershor
Dy djem të lagjes më thanë se mbrëmë ishin takuar me Lirakun. Nuk u besova. E dija se ende ndodhet diku në malësitë e Llapit.
U ndala në kafiterinë “Korzo”, ku përpara do të më vinte turp të më shihte kush, sepse në të hynin vetëm policë e njerëz të sigurimit. Tani kishte vetëm shqiptarë. Ishte i vetmi lokal, pos “Grandit”, që funksiononte. Takova shumë shokë e miq, që po ashtu kishin qëndruar në Prishtinë gjithë kohën. Osman Dumoshi, njëri nga organizatorët e demonstratave të 1968-s, i cili po ashtu nuk e kishte lëshuar Prishtinën, më thotë se sonte të pret Liraku. Do të vijë Mexhit Syla të të marrë rreth orës 18. Më vinte të qaj nga gëzimi. Atij mezi iu falënderova nga gulçimi. Në orën që më tha Osmani vërtet erdhën Mexhiti me Qazën. Më çuan në Kolovicë të Re, në periferi të Prishtinës. Para një ndërtese të bukur, dy ushtarë me uniforma të UÇK-së dhe të armatosur, na ndalin. Njëri, që dukej se merrej me “protokollin” më pyeti se kë kërkoja dhe kur i tregova na hapi rrugën. Pas pak përpara kisha djalin shtatlartë, tani pa mjekër e mustaqe, më i dobët për nga shëndeti. U përqafëm. Unë nuk mund i ndala lotët, kurse ai ma tërhoqi vërejtjen të mos ligështohem para të tjerëve. Milaim Zeka, një koleg që jeton në Suedi, por që muajve të fundit ka raportuar nga fronti për TVSH-në, po ashtu më qortoi. Takova aty pas shumë muajsh edhe Hydajet Hysenin, Mehmet Hajrizin… Me Lirakun nuk u ngina, por ai duhej të shkonte. Kishin një takim me përfaqësuesit e NATO-s. Në mbrëmje fola me Arianitin. Të dytë u shkrimë në vaj derisa po i rrëfeja për takimin me Lirakun.
E mërkurë, 16 qershor
Gëzimin për ikjen e terrorit bashkë me ushtrinë e policinë serbe e zbehin njoftimet për zbulim varresh masive në çdo anë të Kosovës. Zbulohen pamje tmerruese. Ato dominojnë ekranet televizive, sikundër edhe pamjet e paimagjinueshme të kthimit me fytyra të qeshura të atyre që ishin larguar para tre muajsh me lot në sy.