Franca do të fillojë trajnimin e pilotëve dhe mekanikëve ukrainas në avionin luftarak Mirage 2000-5 “në ditët në vijim”.
Njoftimi u dha të premten nga presidenti francez Emmanuel Macron.
Ai nuk dha detaje për numrin dhe burimin e avionëve, ndërsa njoftoi se trajnimi do të zhvillohet në Francë.
“Ne kemi pasur gjithmonë një mënyrë për t’i bërë gjërat, duke dhënë numra pasi armët dorëzohen dhe përdoren, është më efektive dhe u jep më pak njoftim armiqve tanë”, u shpreh Macron.
Ai këto i tha derisa po fliste me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky, në Paris, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.
Kur u pyet nëse Franca do të dërgojë instruktorë ushtarakë në Ukrainë, ai tha se s’ka arsye që kjo të mos të bëhet.
Macron, tha se Franca do të dërgojë rreth 20 ekspertë teknikë nga ministri të ndryshme në Ukrainë, për të ndihmuar integrimin e Kievit me standardet e Bashkimit Evropian.