Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur për herë të parë, prej kur është në paraburgim në Dhomat e Gjykatës Speciale. Veseli që s’kishte folur as në seancën e parë, kur të tjerët folën, në seancën e sotme, ka kërkuar që procesi të jetë i drejtë, transparent, dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Do të jem i shkurtër dhe i drejtpërdrejtë me juve për faktin se është në interesin publik. Çështja e parë ka të bëj me kohëzgjatjen e këtij procesi, që nga dita e parë kur jemi futur në këtë sallë, Prokuroria ka kërkuar në mënyrë transparente 545 orë. Prej ditës së parë, faktikisht, secili e kemi ditur se 545 orë me procesin që do ta zhvillojmë në këtë sallë, do të kalonin 3 vjet ose 4 vjet, edhe nëse fare asnjë pyetje nuk do të bënte as mbrojtja e as ju si trup gjykues”, tha Kadri Veseli.
“Nuk dua të paragjykoj, por dua të them se: besoj është në interes të publikut, jo vetëm tonin, që dikush duhet të merr përgjegjësinë e vendimmarrjes, që ky proces para popullit të Kosovës të jetë jo vetëm fer, jo vetëm transparent, jo vetëm të respektojë procedurat e Kushtetutën e Kosovës, por edhe të ruajë dhe garantojë një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme”, tha Veseli më tutje.
Ish-Kryekuvendari është shprehur se është e rëndësishme që nuk duhet të cenohet besimi në këtë gjykatë, duke aluduar në vonesat e shumëta gjatë gjykimit të tij.
“Unë si njëri nga të akuzuarit, i nderuuar, frikësohem se nëse nuk respektohen këto parime, nuk ka të bëjë me fatin tonë individual, por me një mesazh që do ta dërgojmë te populli i Kosovës i cili e ka krijuar, me vetëdije të plotë, por edhe me besim këtë gjykatë, tek ju si partner tanë ndërkombëtarë, dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të cenohet besimi që ka shtetin ligjor dhe drejtësinë ndërkombëtare”, tha Veseli.
Veseli komentoi edhe përplasjet e ashpra që po shfaqen ndërmjet kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith, me avokatin Ben Emmerson.
“Është edhe një çështjet tjetër që ka të bëjë me mua si të akuzuar dhe me avokatin tim: i nderuar trupi gjykues, po e shoh një komunikim që nuk është normal e joprofesional. Nuk po paragjykoj, por si i akuzuar kam drej të jap mesazh: nuk do të doja që në gjera që janë jashtë realitetit tim të ndikohet e pararagjykohet, sepse ka një mospërmbajtje në adresimet e avokatit tim”, tha Kadri Veseli.
Avokati vs Gjyqtari
Avokat i Kadri Veselit është ‘kapur’ me kryegjyqtarin Smith lidhur me faktin se gjykimi po stërzgjatet, raporton Nacionale.
Ben Emmerson ka kërkuar që të shkurtohet koha, pasi kanë mbetur edhe 101 dëshmitarë për t’u ftuar.
“Ky gjykim duhet të kryhet në afat të arsyeshëm. Nuk mund të fajësoni mbrojtjen për fajin e Prokurorisë e cila e ka barrën e provës”, tha Emmerson.
“Nuk mund ta gjuani fajin tjetër kund”, ia ktheu gjyqtari Smith.
“Unë nuk po ofendoj njeri”, tha Emmerson.
“Unë thashë që po e fyeni Prokurorinë. Sa herë që ngriheni e merrni fjalën. A e ndalim me kaq”, ia ktheu Smith.
Në konferencën mbi ecurinë e çështjes në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerët, avokati i ish-Presidentit Luka Mishetiq, tha se sipas llogaritjeve të tyre, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk e përfundon çështjen në prillin e vitit 2025, por në maj të 2027-ës.
“Mund të kenë kursyer rreth 75 orë gjithsej, por ngelen rreth 200 orë për ZPS-në që nga 1 prilli i 2025 dhe nëse e zbatojmë këtë përllogaritje me 1.08 për orë në ditë do të thotë që ne duam edhe 216 ditë në sallën e gjyqit që Prokuroria të përfundojë me provat e veta duke filluar nga 1 prilli i 2025 dhe nëse zbatojmë rregullën e 100 ditëve që kemi ne në vit, kjo do të thotë që ZPS-ja mund t’i përfundojë provat e veta rreth majit të 2027. Kjo është një hipotezë. Unë dua të kuptojmë se ku qëndrojmë ne aktualisht. Sigurisht që unë do të doja që të më thoshte ZPS-ja që ia ke futur kot dhe ne do ta përfundojmë brenda pranverës së 2025”, tha Mishetiq.
Mbrojtësi i Thaçit ka kërkuar nga Gjykata t’i vendosen afate kohore ZPS-së për të përfunduar me dëshmitarët e tyre.