Raporti i DASH-it shihet me shqetësim nga njohësit e çështjeve juridike – Kambanë e alarm për institucionet

4 minutes, 54 seconds Read

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për Kosovën po shihet shqetësues nga njohësit e çështjeve juridike. Sipas tyre, në të njëjtin shpërfaqen ndërhyrjet e qeverisë në sistemin e drejtësisë, nivelin e korrupsionit, pandëshkueshmërinë e zyrtarëve të qeverisë, dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore.

Ata thonë se krahas problemeve në sistemin e drejtësisë, politika është ajo e cila po ndikon që organet e drejtësisë të mos jenë të pavarura.

Avokati Ardian Bajraktari, thotë për Ekonomia Online se niveli i ndërhyrjeve të politikës në gjyqësor është shqetësuese. Sipas tij, raporti duhet të jetë alarm për institucionet kosovare në mënyrë që të mos përsëriten gjetje të njëjta.

“Raporti i DASh-it është një nga raportet jashtëzakonisht kredibile dhe në bindjen time pasqyron gjendjen reale sa i përket çështjen të cilat trajtohen, me theks të veçantë aspektet të cilat edhe ne vendore në jo pak raste i kemi trajtuar dhe kemi dhënë pikëpamjet tona, me theks të veçantë është le të themi për shqetësim niveli i ndërhyrjeve politike, përmes sulmeve, përmes atakimeve të drejtpërdrejta të eksponentëve politikë duke përmend qoftë edhe emra gjyqtarësh, emra prokurorësh e të cilat natyrisht që duhet sa më parë të ndalen. Vlerësoj që raporti pra është real dhe si i tillë do duhej të merrej me shqetësim dhe në bindjen time është një kambanë është një alarm për të gjithë atyre që iu dedikohet”, thotë Bajraktari.

Bajraktari ka kërkuar nga eksponentët politikë që sa më parë t’i ndalin sulmet ndaj gjyqësorit. Ndërsa nga këta të fundit, kërkon më shumë efikasitet në punën e tyre.

“E para institucionet politike, eksponentët politikë, Qeveria dhe të tjerët, duhet sa më parë t’i ndalin këto etiketime, këto sulme në adresë të institucioneve të gjyqësorit, mirëpo edhe këta të fundit natyrisht që duhet ta rrisin efikasitetin me theks të veçantë, Këshilli Gjyqësor dhe KPK-ja duhet të angazhohet jashtëzakonisht shumë në drejtim të forcimit të integritetit të njerëzve brenda për brenda në gjyqësor në drejtim të adresimit të llogaridhënies mirëpo natyrisht edhe në drejtim të rishikimit të politikës ndëshkimore për kategoritë e caktuara të veprave penale të dhunshme përfshirë veprat penale ku viktimat po janë gratë, prandaj ndërmarrja e këtyre veprimeve është imediate është nevojë urgjente me çka natyrisht që do të përmirësohet edhe imazhi i institucioneve të drejtësisë edhe imazhi i vendit tonë në instancë të fundit”, u shpreh Bajraktari.

Ndërsa avokati tjetër, Yll Zekaj, thotë se raporti i këtij viti është i njëjtë me atë të vitit të kaluar, ku theksohen ndërhyrjet në pavarësinë e sistemit gjyqësor. Këto gjetje, Zekaj i sheh me shqetësim të madh për faktin se nuk ka ndryshuar gjendja nga viti i kaluar.

Zekaj përmend disa nga gjetjet të cilat i konsideron si më shqetësuese.

“Edhe raporti i këtij viti të Departamentit Amerikan të Shtetit nuk është që ka ndryshuar shumë nga raporti i vitit të kaluar. Identifikon shumë probleme serioze, sidomos në shkeljen e të drejtave të njeriut, në punën e gjyqësorit, në interferimin e Qeverisë në paanshmërinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor, ndaj korrupsionit, dhunën në familje, dhunën në baza gjinore. Këto pak a shumë janë pikat të cilat në aspektin e shkeljes së ligjit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut i identifikon raportet e Departamentit të Shtetit i cili nuk konstaton që ka pasur progres nga ajo e vitit të kaluar”, thotë Zekaj.

Ndërhyrjet që më së shumti përmenden në raport sipas Zekës janë në momentin kur zyrtarët qeveritar ndiqen nga sistemi i drejtësisë.

“Prapë ky raport e qet në pah atë që e kemi parë edhe vitin e kaluar edhe në sistemin gjyqësor edhe në aspektin me qeverinë që kemi pasur vazhdimisht interferencë të Qeverisë në sistemin gjyqësor përmes kritikave sidomos në rastet kur sistemi gjyqësor ka pas të bëjë me zyrtarë politik apo me zyrtarë qeveritar, qoftë në fazën e hetimeve apo në fazën e gjykimit të tyre gjithmonë kemi pasur polemika nga ana e gjyqësorit nga ana e qeverisë në drejtim të gjyqësorit dhe kjo kemi thënë dhe atëherë është konfirmuar edhe nga ky raport që është drejtpërdrejt shkelje e pavarësisë së sistemit gjyqësor”, u shpreh Zeka.
Këto gjetje, Zeka kërkon nga institucionet që ta marrin me seriozitet dhe të reflektojnë. Ai thotë se këto raporte pasqyrojnë realitetin në të cilën gjendet shteti ynë.

“Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit sikurse edhe raporti i progresit apo raporti për Kosovën i BE-së janë skanim i gjendjes në të cilën gjendet shteti ynë në të gjitha sferat, qoftë në cenim të drejtave të njeriut, cenimin e të drejtave individuale. Qeveria e Republikës së Kosovës po edhe të gjitha institucionet tjera në të cilat ka gjete që nuk ka përparim apo nuk ka progres duhet ta marrin si raport real dhe të reflektojnë mbi bazën e këtyre gjetjeve duhet të japin impute më shumë duhet të tentojnë që ta rrisin efikasitetin në drejtim të përmirësimit të gjetjeve për vitin e ardhshëm dhe jo të marrin vetëm pjesët pozitive si të shkëputura nga raporti për interesa personale apo interesa të një institucioni të caktuar duke mos e parë raportin si tërësi”, u shpreh Zekaj.

 

Publikime te ngjashme