Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot Ferizajn, ku një person e qëlloi për vdekje me armë zjarri një grua.
Indeksonline raporton se i dyshuari, Valon Aliu, 36 vjeçar, gjuajti me armë në drejtim të gruas së tij, E.C., 21 vjeçare.
I plagosur në vendin e ngjarjes mbeti edhe 15 vjeçari D.C., i cili dyshohet të jetë vëllai i viktimës.
Aliu dhe viktima po shkonin te Qendra për Punë Sociale për konsultim, meqënëse çifti ishin në proces të ndarjes.
Burimet e Indeksonline pohojnë se i dyshuari, Valon Aliu, e kërcënoi me armë edhe një prej punëtorëve të Qendrës për Punë Sociale.
Ndërkohë, policia ka bërë të ditur se i dyshuari është arrestuar dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Ekipe të policisë, policët e rendit, hetuesit e stacionit, hetuesit rajonal të mbështetura edhe nga Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) kanë identifikuar të dyshuarin V.A (M/K) i moshës 36 vjeçar dhe menjëherë kanë rrethuar zonën përreth dhe pas një pune intensive në terren, në orën 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje dhe e kanë shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, për procedura tjera hetimore” deklaroi policia.
Në anën tjetër, Prokuroria e Ferizajt deklaron se brenda afatit ligjor do të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit për Aliun.
“I dyshuari në këtë rast, me iniciale V.A., me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për veprën penale të lartcekur” thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë./Indeksonline